Mbapé dhuroi një spektakël të rrallë në sfidën e djeshme kundër Argjentinës dhe tashmë konsiderohet thuajse nga të gjithë si dominuesi i ardhshëm i futbollit botëror.
Sulmuesi i PSG-së i bëri të gjitha në ndeshjen e luajtur në Kazan, nga penalltia e fituar, te dy golat e shënuar dhe gjuajtjet e sprintet pa fund. Nuk ka vonuar dhe në rrjetet sociale të gjithë kanë kujtuar mundësinë që humbi Reali i Madridit para një viti. Është pikërisht Mbape futbollisti që duhet të blejë Florentino, shkruajnë tifozë e gazetarë, duke këshilluar që francezi të kalojë në plan të parë, para Nejmarit.
Mbape shpërtheu në futbollin evropian te Monako në sezonin 2016/17, një makinë sulmuese perfekte, me lojtarë si Fabinjo, Bakajoko, Lemar, Mendi e Falkao krah tij, që e ndihmuan të shkëlqente.
26 gola e 14 asiste në sezonin e tij të parë si titullar.
Verën e shkuar Mbape ishte në qendër të një gare mes klubeve më të mëdhenj për ta blerë, por Reali nisej në avantazh, sepse e kishte kontaktuar i pari Monakon. Megjithatë, asgjë nuk u konkretizua, sepse së pari Mbape kërkonte një pagë prej 12 milionë eurosh, edhe pse ishte vetëm 18 vjeç, gjë që mund të shkaktonte revoltë në skuadrën madrilene, ndaj Florentino as që i mori parasysh shifra të tilla. Arsyeja tjetër ishte sportive: babai dhe agjenti i tij i sugjeruan klubit madrilen që prania e Bejl, Benzema dhe Kristiano Ronaldo në ekip kufizonin Mbapenë, ndaj duhej larguar një prej tyre.
Bejl vinte nga një sezon i keq e plot dëmtime, Benzema nga një rendiment aspak i mirë, duke qenë inferior edhe ndaj Moratas. Megjithatë, në Madrid nuk ishin të bindur dhe hoqën dorë nga operacioni.
Stafetën e mori PSG-ja, që nuk pati asnjë dyshim: bleu Nejmarin për 222 milionë euro, mori edhe Mbapenë në huazim, me detyrim blerjeje për 180 milionë euro, një mënyrë për të shmangur pengesat e Fair Play financiar.
Tani, realiteti është kokëfortë: Bejl e ka justifikuar besimin e Realit përtej luhatjeve, pasi shënoi edhe në finalen e Champions League, por Benzema ka zhvilluar një sezon tragjik dhe krahasimi me Mbapenë nuk bëhet fare. Madrileni ka shënuar 12 gola në 3237 minuta (një gol në 3 ndeshje), ndërsa Mbape ka shënuar 21 gola në 3554 minuta (një gol çdo 170 minuta), edhe pse luan si sulmues krahu, sepse në Paris është Kavani sulmuesi kryesor.
Në çdo drejtim, Mbape ka qenë superior ndaj Benzemasë këtë sezon, ndërkohë që edhe në kombëtare po tregon se është një superstar, ndaj Reali ka gabuar rëndë një vit më parë dhe ndoshta nuk do të mundet ta blejë më Mbapenë në të ardhmen.