Shqipëria nuk ia ka dalë dot përballë Gjeorgjisë. Kuqezinjtë janë mposhtur në “Air Albania” me rezultatin minimal 0-1. Sfida ishte e barabartë, teksa një gol spektakolar nga distanca heshti stadiumin e mbushur me ngjyrat kuqezi. Këtë herë goditja perla nga jashtë zone nuk erdhi nga e majta e Asanit, por nga këmba e Kochorashvili-t. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët dhe trajneri dhanë intervistat e tyre për emisionin “Kuq e Zi” në “SuperSport”.
Mitaj: “Në përgjithësi bëmë një ndeshje të mirë. Vrapuam më shumë. Kishim 2-3 raste. Por ata i shfrytëzuan më mirë. Loja e parë nuk është justifikim, sepse edhe ata kishin zhvilluar një ndeshje. Hapësirat në krahë i kishim më të shumta. Duhet ta kishim qarkulluar topin më shumë. Al Itihadi? Fola me menaxherin, pashë ekipet, pashë lojtarët dhe vendosa. Më thanë që do të kisha më shumë minuta, prandaj edhe shkova. Do të luaj më shumë se në Rusi”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/