Belgët gjejnë “parajsën”, Dzaria në gjurmët e Gurit

Pas Kristal Abazajt dhe Sindrit Gurit mund të jetë radha e Irakli Dzarias që të nisë një aventurë të re në Belgjikë. Futbollisti nga Gjeorgjia tregon se ka pasur kontakte më një skuadër nga elita e futbollit belg duke zbuluar gjithçka, me përjashtim të emrit të skuadrës që interesohet, pasi ende palët janë në hapat e parë dhe nuk ka një ofertë zyrtare për të. Për mediat e vendit të tij, saktësisht për “1tv.ge” ku ka treguar se kambana belge po bien për të. 29-vjeçari është i sinqertë duke treguar se nuk kishte qenë ai objektivi fillestar, por një tjetër lojtarë, duke ju referuar Sindrit Gurit: “Po, është e vërtetë që një trajner belg dhe ndihmësi i tij më kanë kontaktuar mua. Ata nuk kishin ardhur për të më ndjekur mua, pasi ishin të interesuar për një tjetër lojtar, por siç duket ju kam tërhequr vëmendjen dhe kanë shfaqur interes për mua. Për momentin nuk mund ta bëj të ditur emrin e skuadrës që kishte përfaqësuesit e saj në stadium në ndeshjen me Skënderbeun, pasi ne ende jemi në bisedime dhe ata nuk e kanë bërë ende një ofertë zyrtare. Pres që të mbarojmë fillimisht sezonin dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë me këtë interesim”, përfundon Irakli Dzaria, i cili në Korçë bëri një ndeshje mjaft të mirë.

Mesfushori gjeorgjian Irakli Dzaria

29-vjeçari u afrua te Kukësi në merkaton e janarit dhe u përshtat mjaft mirë me skuadrën, edhe pse ishte hera e parë që luante në një kampionat jashtë vendit të tij. Me Kukësin është aktivizuar në 14 ndeshje, duke mundur që të shënojë dhe 2 gola, saktësisht në fitoren 1-0 me Laçin në Kukës në fazën e tretë dhe në triumfin 4-0 ndaj Partizanit pak javë më parë.

Sindrit Guri duket se veç vetes po ndihmon dhe shokët e skuadrës dhe jo vetëm, pasi po tërheqë vëmendjen e shumë menaxherëve, por në të njëjtën kohë edhe lojtarët e tjerë mund të tregojnë vlerat e tyre për të marrë më pas ndonjë ofertë të mirë, duke ndjekur shembullin e Dzarias. Gjeorgjiani ka dhe një vit kontratë me Kukësin, ndaj oferta duhet të shkojë në derën e kampionëve në fuqi.

Për t’u veçuar fakti se shumë skuadra në Belgjikë kanë hedhur grepat në Superiore dhe kjo është e admirueshme. Abazaj tashmë e ka zyrtarizuar të ardhmen, Guri po ashtu e ka qartësuar se do të luaj në Belgjikë, ndërsa Dzaria mund të jetë i radhës, por nuk do të ishte çudi që në ditët e ardhshme të kishte dhe ndonjë lojtar tjetër që mund të marrë valixhet dhe të ndjekë Abazajn me shokë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *