Austria e Vjenës tenton të futet në lojë, takim me Kukësin për Gurin

Menaxheri që solli Peter Pakultin te Kukësi po mundohet të transferojë në Austri sulmuesin e Kukësit. Brenda pak ditësh pritet vizita në Tiranë

Është Sindrit Guri njeriu i momentit në Superiore, sepse sulmuesi i Kukësit po kthehet në një lojtar të kërkuar nga shumë klube nëpër Europë. Nëse me Kristal Abazajn tek Anderlehti gjithçka u mbyll mjaft shpejt, e kundërta do të ndodhë me shkodranin. Shënuesi më i mirë i Superiores po pret me qetësi fundin e sezonit, që për të ka qenë fenomenal, ndërkohë që edhe Kukësi nuk ka asnjë nxitim për ta shitur, sepse çdo gol e shton vlerëson e Gurit në treg.

RAPIDI NDRYSHON OBJEKTIV – Peter Pakult është trajneri që e njeh më mirë se kushdo në këtë moment Gurin, duke qenë se e stërvit çdo ditë dhe e ka parë të rritet në mënyrë konstante në muajt e fundit. Sulmuesi i Kukësit është bërë edhe më vendimtar para porte në vitin 2018, që prej largimit të Elis Bakajt, duke treguar se mbajtja e peshës së sulmit nuk është aspak problem për të, përkundrazi. Pakult është pyetur nga drejtuesit e Rapidit të Vjenës dhe ka këshilluar blerjen e tij, duke shërbyer në një farë mënyre edhe si ndërmjetës. Megjithatë, Rapidi ende nuk ka rinovuar me trajnerin Goran Xhuriçin dhe ndërkohë prej 4 ditësh ka zyrtarizuar blerjen e parë për sezonin e ardhshëm, që praktikisht mbyll kërkimin për sulmues, sepse serbi 24-vjeçar Andrija Pavloviç do të lërë FC Kopenhagenin këtë verë dhe do të luajë për Rapidin, duke luajtur pikërisht në rolin e “pykës”, si Guri.

AUSTRIA E VJENËS FUTET NË LOJË – Nëse Rapidi është kompletuar në sulm, e kundërta ndodh me Austrinë e Vjenës, që po mbyll një sezon dëshpërues dhe tashmë kërkon të bëjë revolucion në ekip. Synimi madhor është Guri, i cili do të bëhej pikë referimi në një sulm të varfër, ku shënuesi më i mirë (Frizenbishler) ka 8 gola dhe ka shënuar më pak se mesfushori Holchauzer. Austria e Vjenës kërkon ta nisë nga sulmi rindërtimin e skuadrës dhe Guri duket zgjedhja ideale, aq më shumë që në Austri njohin mirë edhe Salihin dhe e dinë ç’do të thotë të marrin një nga shënuesit më të mirë në Superiore.

PRELA NDËRMJETËS – Javën e ardhshme në Tiranë pritet të vijnë menaxheri i njohur Marjan Prela, ai që solli edhe Pakultin te Kukësi, së bashku me drejtorin sportiv të Austrisë së Vjenës, Franc Volfart. Ky i fundit, një ish-portier shumë i famshëm në Austri, punon prej vitit 2015 tek Austria e Vjenës dhe është bindur nga cilësitë e Gurit, pasi ka parë disa ndeshje të tij. Edhe trajneri i Austrisë së Vjenës ka dhënë “OK”, ndaj Prela e Volfart vijnë në Tiranë për të takuar presidentin Safet Gjici, por me synimin për të tentuar gjetjen e marrëveshjes sa më shpejt. Nuk do të jetë e lehtë, Gjici nuk ka ndërmend të nxitohet dhe e di mirë që klube të tjera do ta rritin ofertën, me kalimin e ditëve. Austria e Vjenës zor se do të shkojë në shifrat që pretendon Kukësi, rreth 1 milion euro, por mund të bëjë një ofertë joshëse në një drejtim tjetër, duke i lënë Kukësit një përqindje të kartonit të sulmuesit, në rast rishitjeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online