Bekali është presidenti i skuadrës së FCSB në Rumani dhe njihet së tepërmi për bëmat e tij me vendimet e marra dhe faktin se është pa doreza në media. Veprimi i fundit ishte heqja e dy lojtarëve të sapo afruar në skuadër, në merkaton e verës. Për shkakun se zhgënjyen në ndeshjen e Europës dhe ekipi rumun do të eliminohej, Bekali vendosi shkarkimin e menjëhershëm të Zdenek Ondrasek dhe Stipe Vucur: “Për çfarë i dua kur nuk na ndihmojnë në Europë?”.
Bekali nuk ndalet këtu dhe lojtarët e tjerë janë në presionin e vazhdueshëm për të mos zhgënjyer në një ndeshje, pasi i pret më e keqja. Në ndeshjen e fundit kundër Rapidit të Bukureshtit, trajneri i FCSB kishte vendosur që të aktivizonte si titullar mbrojtësin Cretu. Por Bekali ishte mërzitur së tepërmi në 45 minutat e para me Cretu dhe urdhëroi trajnerin që ta zëvendësonte.
Menjëherë pas nisjes së pjesës së dytë ishte Julian Criste që mori vendin e Alex Cretu, por të dy lojtarët do të kishin të njëjtin fat. Pas mbylljes së takimit Bekali ka njoftuar se futbollistët do të largohen nga skuadra. “Cretu na mundi, jo Rapidi. Tani e tutje është i lirë. Do t’i jap edhe 100.000 euro të tjera atij. Ndërsa Criste nuk ka vend më në skuadër”, u shpreh Bekali. /Sport Ekspres/