Romela Begaj këmbëngul se është e pastër dhe paralajmëron se do ta vazhdojë betejën e saj për të provuar se nuk ka bërë asgjë të jashtëligjshme për të arritur sukseset e saj në peshëngritje. Pas daljes para mediave ditë më parë, sot Begaj foli edhe në emisionin “Opinion” në TV Klan, duke përsëritur se nuk dorëzohet, edhe pse shteti nuk është bërë i gjallë.
Analiza – “Agjencia antidoping WADA nuk ka dhënë detaje si është marrë substanca dopuese, por është raportuar thjesht që më është gjetur në analizat e urinës. Gjaku ka dalë i pastër, analizat e urinës kanë evidentuar substancën e ndaluar. Është diçka jashtë logjike, sepse unë e di shumë mirë që kryhen teste të detajuara dhe nuk ka kuptim që unë të marr substanca duke e ditur që ato zbulohen fare lehtë”.
E ardhmja – “Nuk kam marrë asnjë shpjegim nga WADA. Kemi çuar një letër për një dëgjim para panelit dhe do të shohim gjithë analizat. Për momentin pritet ardhja e një dosjeje me gjithë analizat, që do të shqyrtohen nga unë dhe avokati im. Është shumë e vështirë, sepse jam e vetme në këtë betejë.
Mbrojtja – “Do t’i shkoj deri në fund kësaj beteje, për të kryer analiza të plota, të cilat nuk kam pasur kurrë frikë t’i bëj. Nuk ka logjikë që unë në gjak të jem e pastër dhe në urinë të kem substanca dopuese. Kam kërkuar ndihmë nga kombi shqiptar që të më jepet ndihmë jo mua si person, por si sportiste që përfaqëson një komb. Kam mbetur vetëm, në mes të popullit tim”.
Roli i shtetit – “Më vjen turp që e them, sepse jam bijë e këtij vendi, por shteti nuk ka bërë asgjë, përtej thirrjeve nga federata dhe unë personalisht.
Ndihma financiare – “Falënderoj gjithë ata persona që kanë shprehur dëshirën për të më ndihmuar, e kam fjalë për gjithë personat që më kanë ofruar ndihmë, nga e gjithë bota. Shpresoj që edhe shteti shqiptar të më ndihmojë në këtë betejë”.