Gabriel Omar Batistuta ka qenë dhe mbetet një nga sulmuesit më të mëdhenj të historisë së futbollit. Legjenda e Fiorentinës ishte një luftëtar i madh, një tmerr për mbrojtësit e portierët kundërshtarë dhe një goleador i frikshëm.
Argjentinasi qëndroi nëntë sezone në Firence, aty ku fitoi një Kupë dhe Superkupë Italie, shënoi pafundësisht, duke marrë dhe epitetin Batigol.
Problemet financiare e detyruan Fiorentinën ta shiste te Roma në moshën 31-vjeçare për shifrën e 70 miliardë liretave (rreth 36 milionë euro sot), rekord për atë periudhë duke marrë parasysh dhe moshën e tij.
Në kryeqytetin italian fitoi titullin kampion. Më pas kaloi tek Interi, aty ku nuk la gjurmë. Batigol është një idhull për miliona tifozë, ofertat nga klubet e mëdha nuk i munguan kurrë, por ai vendosi t’i qëndronte gjatë besnik Fiorentinës së tij.
Batistuta rrëfen për “America Business Forum” shkakun e refuzimeve ndaj klube si Real Madrid dhe Milan. Shkaku është i çuditshëm, por ish-sulmuesi preferonte të luftonte dhe fitonte diçka me një ekip të “vogël” si Fiorentina, sesa të mërzitej në ekipe të mëdha…
“Nuk më ka pëlqyer kurrë që të jem lider skuadre, sepse kur je lider ke përgjegjësi të mëdha si në fitore dhe në humbje. Futbollisti trajtohet gjithmonë si një produkt. Kur isha pjesë e Fiorentinës më kërkonin ekipe si: Reali i Madridit, Milani dhe Mançester Junajtid, por preferoja qetësinë e Firences. Nëse do të shkoja te Reali do të fitoja shumë. Mund të kisha shënuar më shumë se 200 gola, por do të isha mërzitur. Të njëjtën gjë mendoja dhe për Milanin. Ky është shkaku se pse ndihem një fitues, edhe pse nuk kam fituar pothuajse asgjë. Jam fitues, sepse kam bërë të mundur që Fiorentina të luftonte kundër ekipeve më të fuqishme”, përfundon Gabriel Batistuta.