Mançester Siti është një skuadër e brishtë në Champions. Ata janë skuadra e parë angleze në histori, që humbasin katër ndeshje radhazi në turneun më të rëndësishëm për klube. Sitizëns e konfirmuan këtë edhe në debutimin në këtë sezon, ku u mposhtën në mënyrë surprizë 2-1 nga Lioni. Një disfatë që lë shijë të hidhur për shumë arsye dhe që hedh dyshime për kapacitetin e skuadrës së Pep Guardiolës në këtë kompeticion.
Humbja e fundit që Siti kishte pësuar në ndeshje zyrtare ishte në prill të vitit 2018, pikërisht në Champions dhe pikërisht në shtëpi, por nga Liverpuli, që në sezonin e kaluar arriti deri në finalen e turneut. Këtë herë humbja bën më tepër përshtypje, pasi anglezët cilësoheshin favoritë absolutë përballë francezëve.
Maksuell Kornet në minutën e 26-të dhe Nabil Fekir në fundin e pjesës së parë tronditën sitizëns. Për Kornet ky ishte goli i parë prej shtatorit të vitit 2016 në Champions, kur i realizonte Dinamos së Zagrebit. Në anën tjetër, Fekir shënoi golin e parë në Champions në 6 ndeshje të luajtura. Rrjetë që erdhi si një shpërblim për paraqitjet e fundit, ku ka qenë i përfshirë në 7 nga 9 golat e realizuar nga Lioni në të gjitha kompeticionet (4 gola dhe 3 asist).
Goli i Bernardo Silvës në të 67-ën nuk mjaftoi. Skuadra e Pep Guardiolës nuk e njihte humbjen në shtëpi në tetë ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Champions League, ku kishte regjistruar 7 fitore dhe një barazim. Megjithatë mbetet fakti se Mançester Siti vuan në Champions. Gjashtë nga tetë rastet e fundit ku sitizëns kanë pësuar dy gola në pjesën e parë në “Etihad Stadium” janë regjistruar pikërisht në kompeticionin ndërkombëtar.
Në ndeshjen tjetër të Grupit F, Hofenhajmi barazoi 2-2 në fushën e Shakhtar Donjeckut. Miqtë e panë veten dy herë në avantazh, fillimisht me Grilitsh dhe më pas me Nordtvejt, por ukrainasit barazuan shifrat, fillimisht me Ismaili dhe më pas Maikon.
Grupi F
Mançester Siti-Lion 1-2
Shënues: Silva 67’ /Kornet 26’, Fekir 43’
Shakhtar-Hofenhajm 2-2
Ismaili 27’, Maikon 81’ / Grilitsh 6’, Nordtvejt 38’