Gomarin nga balta e nxjerr veç i zoti. Kjo është një nga shprehjet më të përshtatshme për Bajernin e sotëm, i cili po kalon një krizë pas problemeve me trajnerin Karlo Ançeloti, i pushuar nga puna pak ditë më parë. Me gjithë respektin, tifozë bavarezë, se këtu fjala “gomar” nuk ka lidhje me karakteristikën famëkeqe të kafshës, por vetëm me shprehjen.
Dhe, nëse ka një njeri i cili mund të quhet “i zoti i Bajernit”, ai është trajneri legjendar Jup Hejnkes. 72-vjeçari ishte një “ish” deri… para pak minutash, kur “Bild” zbuloi ekskluzivisht se deri në qershor timonieri i ri i rekordmenëve do të jetë pikërisht ky plak i urtë, i cili në vitin 2013 arriti atë që askush nuk e kishte bërë më parë në futbollin gjerman, tripletën.
Me Julian Nagelsmanin i cili po pret pas dere, vetëm 30 vjeç, dyshja Uli Hënes e Karl-Hainc Rumenige kanë menduar që ngërçin psikologjik dhe telashet e skuadrës t’i zgjidhë ustai i vjetër. Hejnkes e ka stërvitur në tre raste Bajernin, madje një herë si trajner i përkohshëm. Kjo do të jetë hera e tij e katërt në “Allianz Arena”, nëse e quajmë lajmin të kryer.
Don Jup duket sikur ka lindur për të qenë “shpëtimtari” i bavarezëve. U bëftë më e mira!