Me një stadium të ri si “Elbasan Arena”, klubi historik me po të njëjtin emër “KF Elbasani” pritej të arrinte majat e futbollit shqiptar dhe të luftonte në kupat e Europës. Megjithatë për vite me radhë kjo skuadër ka shkuar drejt degradimit dhe këtë sezon do të luajë në Kategorinë e Dytë.
Tifozat më të zjarrtë të këtij qyteti, nuk mund të rrinin pa reaguar mbi këtë padrejtësi që u bëhet prej vitesh. Një sportdashës dhe biznesmen në Elbasan, Mareglen Çoku ka krijuar një klub të ri me emrin “Akademia e Futbollit Elbasani” i cili do t’i hedhë themelet e tij këtë sezon, duke e nisur nga Kategoria e Tretë. Logoja dhe ngjyrat e skuadrës do të jenë njësoj si me “KF Elbasani”, me të vetmin ndryshim që tashmë ka shpresë për rikthimin e lumturisë tek tifozët e Elbasanit.
Mareglen Çoku ja ka besuar klubin e tij personave që e kanë treguar me vite dashurinë për këtë ekip. Gentian Stojku, ish sulmues do të udhëheqë ngritjen e kësaj skuadre. Në stafin e tij do të jetë si ndihmës Elton Ceno, kurse trajner portierësh i mirënjohuri Elvis Kotorri. Drejtori sportiv i kësaj skuadre do të jetë Elton Guranjaku, i cili do të ketë përgjegjësinë e krijimit të një merkatoje të sukseshme. Guranjaku ka qenë pjesë e skuadrë së Elbasanit në periudhën 2004-2006, ku dalloi me paraqitjet e tij fantastike. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/