Bayern Munchen si Tirana, por në Gjermani nuk e falin një humbje të keqe me titullin e garantuar: Lojtarët kanë ndalur së luajturi

Është shumë e vështirë dhe thuajse e pamundur që lojtarët të motivohen kur kanë siguruar titullin kampion. Rasti më i afërt është në Shqipëri, teksa Tirana pasi e ka siguruar titullin kampion, edhe pse ende jo matematikisht, nuk ka arritur të gjejë ende fitoren e fundit që mbyll gjithçka.

Dy humbje radhazi për bardheblutë, aq sa nuk i kanë bërë kurrë në të gjithë kampionatin. Kjo ka shqetësuar edhe trajnerin Shehi që shprehet se kjo ndodh për shumë komponent të lidhur së bashku, teksa në mendjen e lojtarëve janë edhe ofertat e shumta që i kanë mbërritur në këtë periudhë.

Ndërkohë në Gjermani është Bayern Munchen që e ka siguruar edhe matematikisht Bundesligën. Në javën e fundit do të vinte vetëm një humbje me shifrat 3-1 ndaj Mainz në transfertë dhe kritikat shpërthyen për këtë skuadër. I pari që e vendosi në shënjestër ishte ish-trajneri i Bayern Munchen, Felix Magath: “Nuk di se çfarë të them, duket sikur sezoni i Bayern ka përfunduar tre javë më parë”.

Menjëherë pas humbjes ndaj Mainz, shumë prej lojtarëve të Bayern kanë udhëtuar për të pushuar në Ibiza. Drejtuesit e bavarezëve janë shprehur se ky udhëtim u lejua për të përmirësuar frymën e grupit, por për legjendën Lothar Matthaus kjo është e pafalshme: “Nuk mund të hipësh në një aeroplan dhe të shkosh në Ibiza, veçanërisht jo pas një ndeshjeje si ajo me Mainz”, ka thënë Matthaus si për të treguar se asgjë nuk përfundon edhe në momentin kur realizohet një objektiv. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *