Migjen Basha ka folur në konferencën për shtyp, duke komentuar miqësoren kundër Jordanisë, ndeshjen e ardhshme me Izraelin në transfertë për Nations League dhe shiritin e kapitenit. Mesfushori i Aris nuk u aktivizua në ndeshjen e mbëmshme, ndërsa zbulon objektivin për ndeshjen e së dielës, ku Shqipëria do të futet në fushë për të fituar përballë Izraelit.
BESIMI PËR ECURINË POZITIVE – “Sigurisht që po, kam besim. Mund të bëjmë ndeshje të mirë dhe katastrofike. Mos ta gjykojmë ndeshjen e djeshme, u luajt me një sistem pak të përdorur. Kishte edhe të rinj. Na intereson ndeshja e së dielës me Izraelin. E kemi parë të gjithë që nuk luajtëm mirë, ndërsa ata donin me zor të merrnin një barazim.”
FORMA – “Jo vetëm fitorja ta ngre morali. Edhe vitin e fundit u mundëm me Luksemburgun dhe më pas fituam me Izraelin. Ka raste kur fitorja është më keq. Edhe pas ndeshjes jo të mirë, duhet entuziazëm. Duhet ta shohim ndeshjen si finale. Nëse marrim rezultat pozitiv, kemi shanse shumë të mira për Europianin.”
MUNGESA NË MIQËSORE – “Nuk di të them nëse ndryshon diçka nga Hysaj apo unë. Kemi bërë edhe ne ndeshje të dobëta. Fusha flet, nëse kemi rastin duhet të japim maksimumin. Jemi caktuar kapiteni i dytë dhe i tretë, ndaj përgjegjësitë janë më të mëdha. Edhe më parë kemi pasur përgjegjësi.
SKEMA – “Kam luajtur 3-5-2 me Venturën, por pak a shumë i di lëvizjet. Për dy ditë nuk mësohen. Ishim konfuzë, por edhe kundërshtari ishte i gjithi në mbrojtje. Gjithsesi kemi pasur raste për gol.”
KAPITENI – “Vendosi grupi kapitenin. Bëmë votimet, Mavraj mori më shumë vota. Është pozitive, por nuk është se shiriti të jep vetëm ty përgjegjësi. Duhet të mendojmë për të mirën e kombëtares.”
IZRAELI – “Na duhet patjetër fitorja, pasi mund të na bllokohet rruga për Europian. E dimë se do ketë ndryshime. Fillimi do të jetë i vështirë, pasi ata do na sulmojnë.”