Barcelona viziton sonte në mbrëmje Lionin, aty ku do të zhvillojë ndeshjen e parë të këtij raundi në Champions. Ekipi katalanas është ndër favoritët e fitimit të kompeticionit më të rëndësishëm për klube dhe Mesi me shokë do të bëjnë maksimumin për t’ia arritur kësaj.
Josip Maria Bartomeu, presidenti i Barcelonës, ka folur rreth sfidës së sotme për “Le Figaro”, ndërsa ndalet dhe tek e ardhmja e Leo Mesit. Kreu i klubit spanjoll jep mendimin e tij për Adrien Rabiot dhe Nejmar. I pari do të jetë një lojtar i lirë në verë dhe emri i tij lakohet si përforcim i Barçës, ndërsa braziliani e ka zgjedhur rrugën e tij dhe nuk mund të rikthehet më në Katalunjë.
MESI – “Të them të drejtën po mendojmë për të ardhmen e Leo Mesit në klub, por ka kohë për një gjë të tillë. Mesi është akoma i ri, është 31 vjeç dhe niveli i tij po vjen në rritje. Besoj se do të vazhdojë të luajë dhe pas vitit 2021. Di të them që kur Mesi të tërhiqet nga futbolli, askush nuk do të mund ta zëvendësojë atë. Është e pamundur. Pas Mesit nuk ekziston askush, as te Barcelona dhe askund tjetër. Trajnerit do i duhet të fillojë të mendojë se si do të luajë skuadra pa të.”
RABIOT – “Nuk ka patur asnjë kontakt me të, por edhe nëse do të ishte e kundërta nuk do ta bëja publike. Planifikimi për sezonin e ardhshëm do të bëhet në muajin mars. E vetmja gjë e sigurt e Rabiot është fakti që me datë 30 qershor do të jetë një lojtar i lirë.”
NEJMAR – “Ne zgjodhëm dy lojtarë sulmues pas shitjes së tij: Kutinjon dhe Dembelenë. Rrugëtimi ynë është i lidhur me këta dy futbollistë. Nuk dëshironim ta shisnim Nejmarin, por PSG ofroi shumë para. Blerja e lojtarëve të mëdhenj të shërben për të fituar dhe jo për të bërë biznes.”
CHAMPIONS – “E gjithë bota thotë që ne duhet të dalim në finale, por do të jetë e vështirë. Përballë Lionit do të hasim probleme, por jemi gati të bëjmë detyrën tonë dhe ta kalojmë këtë tur.”