Bare: Shpresoj që Panuçi të ma japë një shans

Nga Atletiko, te kombëtarja dhe te planet e së ardhmes, mesfushori i Shqipërisë U-21 tregon hapat e rritjes si futbollist, duke ëndërruar kombëtaren e madhe

Mesfushori i Atletikos së Madridit, por edhe i Shqipërisë U-21, Keidi Bare, vazhdon të luajë me sukses me ekipin B të Atletikos dhe të stërvitet me ekipin e parë. Javën e shkuar Keidi debutoi në ekipin e parë, në kupë, duke bërë një figurë shumë të mirë, një sinjal i bukur për të ardhmen e tij. Tani talenti shqiptar pret të aktivizohet edhe më shpesh në ekipin e parë, por me qetësi dhe durim, ndërkohë që nuk e fsheh që e pret të provohet edhe nga Panuçi në kombëtare. Në lidhje direkte në “Zona Gol” në Supersport, Bare ka folur për aventurën e tij madrilene, rritjen aty, por edhe të ardhmen dhe kombëtaren…

– Keidi, si u ndjeve kur luajte javën e shkuar në kupë?

– Debutimi me Atletikon para pak ditësh ishte si nj ëndërr, jam shumë i kënaqur. Nuk pata fat, sepse barazuam në kupë, por personalisht jam shumë i lumtur. Gjërat i bëj një nga një dhe duhet të vazhdoj të punoj, ndërsa kalimi në ekipin e parë dhe debutimi në Primera do të vijë herët a vonë.

-Në fundjavë, derbi ndaj Realit në Segunda B. Si ishte?

– Po, këtë fundjavë luajtëm derbin kundër Real Madrid B, derbi mjaft i nxehtë, edhe pse për ekipet B. Reali na shënoi i pari, por luajtëm më mirë dhe barazuam, ndërsa meritonim fitoren, në një ndeshje mjaft të ashpër, që ngjan ashtu si përballje, e njëjta urrejtje si në ndeshjet e ekipeve të para. Edhe te moshat ka shumë rivalitet, jo më tek ekipet B dhe A.

– Lidhja me vajzën e ndihmëstrajnerit të Atletikos, Mono Burgos, është bërë lajm.

– Nuk ka lidhje fare kjo histori me praninë time tek Atetiko, aty kam shkuar para 4 vitesh, nuk kisha asnjë lidhje me Burgos, vetëm këmbët e mia më kanë çuar këtu ku jam dhe habitem që portalet e gazetat merren kaq shumë me lidhjen time me vajzën e tij, më shumë flitet për këtë histori sesa për aftësitë e mia si futbollist.

– E ardhmja, si e sheh?

– Të shohim, është në dorën e klubit nëse do të vazhdoj me Atletikon, apo do të huazohem. Unë jam përditë me ekipin e parë, stërvitem me Simeonen, ndërsa vetëm për ndeshje shkoj tek ekipi B. Tek Atletiko ka shumë lojtarë cilësorë, edhe në pozicionin tim, ndaj shpresoj që me punë të arrij në nivelet ku janë titullarët e Atletikos. Klubi synon titullin këtë vit dhe shpresoj t’ia arrijmë, edhe pse në ndeshjet e fundit nuk kemi qenë shumë mirë, por gjërat do të përmirësohen dhe besoj te titulli.

– Kombëtarja, po afron ndeshja miqësore në Turqi, a shpreson të grumbullohesh?

– Po, natyrisht, kam kohë që pres. Më mirë vonë, se kurrë, do thosha. Shpresoj shumë që të marr një ftesë nga profesor Panuçi, sepse dua të tregoj edhe unë sa vlej për kombëtaren e madhe. Shpresoj ta kem një shans në nëntor.

– Lidhja me Shqipërinë, si është?

– E ndiej shumë mungesën e Shqipërisë, është gjysma e jetës sime dhe natyrisht që kam një lidhje shumë të fortë. E ndjek edhe futbollin shqiptar, më vjen keq për Apoloninë që për momentin është në Kategorinë e Parë.

– Me mikun tënd Manajn, a jeni takuar?

– Jo, ende nuk jemi takuar, sepse jemi 3-4 orë larg dhe natyrisht jemi të angazhuar me stërvitje e ndeshje përditë. Shpresoj të shihem me Manajn në kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online