Bardhi: Partizani do jetë më i fortë se tani

Jurgen Bardhi është një ndër lojtarët më në formë të Partizanit. 20-vjeçari ka arritur të fitojë besimin e trajnerit Sulejman Starova duke u kthyer në një nga shtyllat kryesore të “demave”. Ai ka marrë më shumë përsipër dhe në ndeshjen e djeshme shënoi edhe golin e qetësisë me një veprim individual mjaft të bukur.

“E dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë. E kishim studiuar gjatë këtë sfidë, pasi Vllaznia na ka hapur gjithmonë probleme. Më vjen mirë që arritëm të reagonim pas humbjes me Luftëtarin. As nuk dua ta mendoj fare atë rezultat. Dua ta fshijë direkt nga vetja”, – shprehet 20-vjeçari.

Ai pranon se skuadra e kishte të vështirë të reagonte pas ndeshjes së humbur me Luftëtarin, por duhej të shihte përpara. “Ishte e vështirë të reagonim, por mblodhëm forcat dhe ja dolëm mbanë. Rikthimi i Starovës ishte vendimi i duhur, pasi ai është trajneri më i mirë në Shqipëri. Dua të përmend edhe profesor Shpëtim Duron. Starova dhe Duro janë si baballarë për mua”. Bardhi e pranon se ka mundësi të bëjë më tepër me skuadrën e tij, por u premton tifozëve se do të bëjë akoma më shumë dhe do të mundohet të jetë 100 për qind efektiv. “Rastet e shpërdoruara vijnë edhe nga momentet e këqija. Nuk jam gjithmonë në maksimum. E vërtetë që tifozët presin më shumë dhe kanë të drejtë, por unë e kam paksa të vështirë, pasi nuk jam një sulmues i mirëfilltë. Do mundohem të bëj më shumë”. Në gjysmën e dytë të sezonit, Bardhi beson se Partizani do të jetë akoma më i fortë se tani. “Besoj se në pjesën e dytë të sezonit do të rritemi më shumë. Unë nuk jam drejtues që të them se çfarë do të ndodhë, por besoj dhe shpresoj se do të shkojë gjithçka më mirë”, – përfundon ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *