Nga Klaudio Ndreca
Rei Manaj do të largohet në këtë merkato të verës nga ekipi i Barcelonës, ndërsa katalanasit nuk e kanë në projektin e tyre këtë lojtar as për ekipin e dytë. Për këtë arsye sulmuesi shqiptar është duke pritur mundësinë për t’iu bashkuar një ekipi të ri.
Interesimet nuk kanë munguar dhe kanë nisur të mbërrijnë te Barcelona. Fillimisht në media u raportua se Verona kishte hedhur vështrimin e saj për ta rikthyer në Seria A. Kjo është edhe dëshira e Rei Manajt, por duhet ende kohë për të parë sesi do të vazhdojnë këto negociata.
Barcelona është duke dëgjuar ofertat dhe do të vendosë për më të mirën e mundshme. Në rastin më të keq janë tre ekipe të Divizionit të Dytë që kërkojnë shërbimet e Rei Manajt. Këtu flitet për Albaceten, Castelion dhe Fuenlabrada. Por në secilën prej këtyre ekipeve do të ishte sërish një hap mbrapa për Manajn, që në këtë mënyrë do i’a vështirësonte më shumë vetes mundësinë për të qenë titullar te Kombëtarja e Shqipërisë.
Sa i përket dëshirës së Barcelonës për të larguar Manajn, kërkohet huazimi me të drejtë blerje ose një ekip i ri ku sulmuesi shqiptar të lërë gjurmë për një vit dhe katalanasit ta shesin me një çmim më të lartë. Këto dy opsione janë vendosur nga ana e ekipit spanjoll, ndërsa dëshira e Manajt mbetet aventura në Seria A. /Sport Ekspres/