Puno aq fortë aq sa idhulli yt të bëhet edhe rivali yt! Myrto Uzuni e mbërriti këtë pikë që është njëkohësisht edhe më e larta. Një model si Kristiano Ronaldo ndiqet në tërë botën, po në të njëjtën mënyrë është ndjekur edhe nga djaloshi i Beratit.
Teksa rritej dhe i shtohej dëshira për të mbërritur sa më lartë në karrierë, Uzuni e gjen veten në “Champions League” atje ku do të luajë kundër Juventusit, që brenda vetes mbart edhe yllin portugez. Ndërkohë nga krahu tjetër është Barcelona e Lionel Mesit, për të kompletuar një short “ferri”.
Në Hungari e kanë kuptuar se aventura ka përfunduar përpara kohe sa i përket shpresës për të kaluar më tej dhe tanimë kanë nisur me shaka. Një figurë ikonë e Ferencvarsoh, ish-futbollisti Jozsef Dzurjak, mendon se skuadra hungareze mund ta rrahi Juventusin dhe Barcelonën, por në një tjetër mënyrë.
“Sapo Barcelona u bashkua me Juventusin në grup, po kërkoja që Ferencvaroshi të përfundonte këtu dhe dëshira u përmbush. Vlen të luash futbolli pikërisht për ndeshje të tilla, të përgatitesh kundër yjeve kaq të mëdhenj.
Barcelona dhe Juventus? Po edhe këto dy ekipe mund të rrihen…pas ndeshjes me ndonjë shkop. Kjo shaka është bërë që në kohën tonë. Ne duhet të bëhemi gati dhe të shtrëngojmë rripin dhe të luajmë përballë tyre. Vërtet nuk besoj te surpriza për të shkuar përtej grupeve, por vendi i tretë është i mundur”, ka thënë Dzurjak. /Sport Ekspres/