Barazim në testin e parë të Ilir Dajës, Partizani ndalet nga ekipi i Kategorisë së Parë

Sot nisi edhe zyrtarisht aventura e re e Ilir Dajës tek Partizani, teksa të kuqtë zhvilluan një ndeshje miqësore me Korabin, i cili luan në Kategorinë e Parë. Megjithatë debutimi i trajnerit Daja nuk nisi në mënyrën sesi ai do të dëshironte, pasi kryeqytetasit nuk arritën të shkonin më shumë sesa barazimi. Në minutën e 2-të, sulmuesi i Korabit, Xhulio Skuka do të kalonte në avantazh skuadrën e tij, teksa shndërroi në gol një 11-metërsh të fituar. Por festa e skuadrës së Peshkopisë do të zgjaste vetëm 4 minuta, pasi në minutën e 6-të William Cordeiro riktheu baraspeshën.

Edhe pse rastet për shënim nuk munguan, skuadra e Partizanit nuk mundi t’i dhuronte fitoren teknikut Daja. Interesant është fakti që ish-trajneri i Skënderbeut vendosi të linte në tribunë Jasir Asanin, lojtar që u rikthye nga huazimi me AIK Stockholm.

Kalimi i Ilir Dajës tek Partizani ishte një nga të vetmet lëvizje të klubit që është përshëndetur nga tifogrupi “Ultras Guerrils”, të cilët shpesh herë janë mjaft kritikë ndaj drejtuesve. Dërgimi i Skënderbeut në fazën e grupeve të Europa Ligë i ka dhënë nje reputacion të shkëlqyer Ilir Dajës, teksa të gjitha ekipet e Superligës dëshirojnë ta kenë në krye të skuadrës./Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *