Italia barazoi në shtëpi me Poloninë në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve dhe sot ka një tjetër ndeshje, akoma më të vështirë me Portugalinë. Lajmi i mirë për fqinjët tanë është që Kristiano Ronaldo nuk do të jetë në ndeshjen e sotme në Lisbonë, kjo për faktin se 33-vjeçari është shumë i përkushtuar ndaj Juventusit në këto momente.
Ndeshja e parë në Ligën e Kombeve solli shumë kritika, veçanërisht për Mario Balotelin, i cili la shumë për të dëshiruar në fazën sulmuese. Edhe pse trajneri Roberto Mançini e mbrojti lojtarin e tij, nuk do ta ketë në dispozicion për ndeshjen e sotme.
Lojtari në fjalë ka pësuar një problem muskulor, që e privon nga mundësia për të dhënë kontributin e tij në ndeshjen e sotme. Ky është versioni zyrtar, por ndoshta ka diçka më shumë se dëmtimi, por para një ndeshje kaq të rëndësishme në Itali nuk e kanë ndërmend që të hapi çështje të tjera. Një tjetër hap fals në një grup me tre skuadra do të ishte vërtetë një dështim.