“Ballkani nuk ishte favorit për t’u kualifikuar”, Ilir Daja e ka peng ndeshjen me Sivasporin: Duhej të shkonim në 2-0

Ilir Daja ka folur pas humbjes së pësuar kundër Sivasporit. Ballkani kaloi i pari në avantazh me anë të Thaqit, por turqit përmbysën gjithçka në pjesën e dytë. Menjëherë pas përfundimit të takimit, trajneri i Ballkanit ka treguar pengun e tij për faktin se nuk u gjet dot goli i dytë.

“Kaluam në avantazh dhe kishim raste për të shënuar, duhet të ishim efikas në të tillë ndeshje. Kishim mungesa dhe Kuc sakrifikoi, ishte mungesa e Gripshit gjithashtu. Bëhet fjalë për lojtarë titullarë, me këta të dy ndryshonte vendosja. Kemi pasur shanse për 2-0, gol që do të godiste kundërshtarin dhe ne do të ishim të qetë. Mund të dilnim me një tjetër rezultat.

Ne nuk kemi qenë favoritë, i rritëm pritshmëritë me lojën dhe rezultatet. Në dy ndeshjet e mbetura nuk do t’i kalojmë si ndeshje radhe, por do të bëjmë lojën tonë. Me Slavian kemi një kundërshtar edhe më të fortë, ata humbën sot dhe do të jenë në maksimum në ndeshjen ndaj nesh. Do të kemi dy javë për t’u marrë me kampionatin sepse është i rëndësishëm dhe pastaj do të mendojmë për Slavian duke shpresuar të rikuperojmë disa lojtarë, sidomos ata me eksperiencë”, u shpreh Daja. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *