Nuk e nisi ndeshjen si titullar, megjithatë Ivan Balliu ishte një prej lojtarëve që ndihmuan Metzin të merrte një pikë me shumë vlera në fushën e Lorientit, në Ligën 2 franceze. Mbrojtësi kuqezi nuk dha asist, as nuk shënoi, edhe sepse ndeshja përfundoi në barazim 0-0. Por, prezenca e tij në fushë, pavarësisht aktivizimit nga stoli, ishte tejet e rëndësishme.
Metzi luajti me 10 futbollistë, pak pasi kishte kaluar gjysmë ore lojë, pas kartonit të kuq të mbrojtësit të djathtë Riverez. Në situatën e krijuar, trajneri Antoneti vendosi të aktivizonte Balliun përpara pushimit ndërmjet pjesëve, për të përforcuar mbrojtjen.
Me 26-vjeçarin në fushë, skuadra nga rajoni i Lindjes së Madhe, arriti të mbante portën të paprekur, duke evituar të paktën ta humbiste ndeshjen. Me pikën e marrë, Metzi mbetet përkohësisht në kreun e renditjes, me 28 pikë të grumbulluara pas 12 javëve të para të kampionatit, por duhet të presë ndeshjen e Lens, që me një fitore mund të ngjitet në vendin e parë.
Or, nëse Balliu buzëqeshi, një tjetër kuqezi, Azdren Llullaku përjetoi një mbrëmje tejet negative. Astra, ku sulmuesi i krahut ishte titullar dhe luajti gjatë gjithë ndeshjes, pësoi një humbje katastrofike 3-0 në shtëpi përballë rivalëve të Universitatea Kraiovës.
Me këtë rezultat, ekipi i Llullakut jo vetëm që u thye përballë publikut të tij dhe ndaj një rivali direkt në zonën “play off” për titullin në Ligën e Parë, por edhe zbriti në vendin e katërt në renditje. Humbja mund ti kushtojë edhe më tepër Astrës, pasi skuadrat e tjera rivale do të luajnë ndeshjet e javës së 13-të të kampionatit dhe rënia mund të jetë më e madhe.
90 minuta në stol për sulmuesin Xhakomo Vrioni. Talenti shqiptar nuk u aktivizua në barazimin 1-1 që Venecia regjistroi në fushën e Palermos, në Serinë B italiane. Një pikë shumë e rëndësishme për skuadrën mike, të cilës i mbetet gjithsesi zhgënjimi për golin e pësuar në minutën e 90-të.