Elvin Beqiri ishte i ftuar në emisionin “Sport Magazine” që moderohet nga Drilon Xhepollari dhe transmetohet në “Ora News”. Ish-futbollisti i Kombëtares është shfaqur me një model ndryshe të flokëve, si kurrë më parë. Mes batutës shprehet se kjo ishte mënyra e tij për të shpëtuar nga i ftohti kanadez. Sa i përket Vllaznisë është komentuar ardhja e trajnerit të ri Goce Sedloskit dhe kontributi i Bekim Balajt në ekip.
“Trajneri i ri? Ishte pak surprizë se Miloti sa e nisi punën e tj pas largimit të Josës. Duke parë CV e Goce Sedloski, të jep besim se Vllaznia mund të arrijë të paktën në Europë. Do të kisha dëshirë që Miloti të vazhdonte, kishte dëshirë të madhe, e njeh ekipin. Por këto janë vendimet e klubit. Problemi i Vllaznisë? Ekipi nuk ka pasur stabilitet në lojë dhe rezultate. Një ekip që do titullin kampion duhet të ketë stabilitet.
Vlerat e Bekim Balajt dihen, është lojtar cilësor. Në pamje të parë shihet që rendimenti i tij nuk ka qenë i duhuri, por unë mendoj se kontributi i Balajt ka qenë maksimal në ato ndeshje që kam parë, i ka ardhur në ndihmë ekipit. Balaj ka bërë maksimumin për të ndihmuar ekipin, pavarësisht se nuk ka shënuar. Rivalët e kanë vëmendje te Balaj dhe nuk i lënë shumë hapësira.
Jeta në Kanada? Këtu është pak e ftohtë, unë nuk e kam qejf shumë shallin dhe prandaj vendosa të rrisja flokët(qesh). Këtu jam te një nga akademitë më të mëdha në Toronto si trajner dhe drejtor teknik. Më kanë dhënë mundësi të mirë, i falënderoj. Ka disa lojtarë shqiptarë këtu që stërviten në grup mosha të ndryshme. Kemi kontaktuar edhe FSHF që ti shohin nga afër”, tha Beqiri. /Sport Ekspres/