Balaj i prishi planet De Biazit, si “u çmontua” ideja e tij!

Dëmtimi i Balajt prishi planet e trajnerit, që kishte menduar 3-5-2 në detaje

Xhani de Biazi me dhimbje koke. Edhe pse grupi është plotësuar, sërish trajneri kuqezi i pa planet e prishura që në momentin kur Bekim Balaj u dëmtua dhe u detyrua të mungonte në sfidën ndaj Izraelit. E gjitha kjo bëri që të ndryshonte gjithçka në planet e trajnerit italian, që kishte menduar më së miri të formonte një formacion i cili do të luante me skemën 3-5-2, pra me dy sulmues, duke lënë njërin në stol. Por, duke qenë se kanë mbetur vetëm Cikalleshi dhe Sadiku si sulmues të mirfilltë, duke përjashtuar nga kjo paketë Llullakun, Hykën dhe Roshin, atëherë padiskutim që duhet të  mendohet diçka ndryshe. Skema 3-5-2 bënte që edhe problemi i mbrojtësit të majtë të zgjidhej, duke qenë se Agolli mungon dhe Aliji e Lenjani s’janë alternativa bindëse. Kështu, duhet të kthehet në 4-1-4-1, vetëm nëse në sulm nuk do të spostohet një mes Hykës dhe Roshit.

Stërvitja – Ndërkaq, sipas asaj që raportoi “Supesport”, stërvitja e pasdites e kuqezinjve këtë të Enjte u përqëndrua kryesisht te rreshtimi taktik që Shqipëria do të ketë në ndeshjen eliminatore për Botërorin Rusi 2018 kundër Izraelit. Pas minutave të para që ishin kryesisht shkrydhëse, dhe që zgjatën shumë pak krahasuar me ditët e kaluara, trajneri De Biazi u përqëndrua te mënyra se si do të luajë në ndeshjen e së dielës duke treguar se dyshimet më të mëdha i ka në fazën e sulmit.

Për këtë arsye italiani zhvilloi një ndeshje brenda grupit, ku në njërin krahë rreshtoi atë që duhet të jetë formacioni titullar, me Strakoshën në portë, në mbrojtje Hysaj, Mavraj, Djimshiti, Aliji në mesfushë pak më i tërhequr Kukeli me Abrashin dhe Memushajn në qendër, ndërsa Hyka e Roshi të hapur nga krahët. Në sulm ndërkohë në pjesën e parë të lojës stërvitore u aktivizua Cikalleshi, ndërsa në të dytën Sadiku. Lëvizje këto që tregojnë deri diku se trajneri ka ende dyshime sa i përket lojtarit që do të luajë titullar në këtë repart ndaj Izraelit. Pas përfundimit të seancës stërvitore, Kace, Cikalleshi dhe Sadiku zhvilluan një stërvitje specifike për goditje nga jashtë zone duke qenë se të 3 janë futbollistë që kanë një goditje të fortë dhe e njohin mjaft mirë portën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *