Balaj dhe afrimi i Vatës/ Alban Xhaferi flet për gjithçka: Rama? Sa rrimë duke paditur njëri-tjetrin, hajde të…

Nëse Vllaznia e ka mbyllur këtë fazë të parë në krye të renditjes së Superiores, një pjesë e madhe e meritave i takon edhe Alban Xhaferit. Sponsori i ri i Vllaznisë nuk është i tillë i vetëm në moshën e tij dhe për faktin se iu bashkua skuadrës vetëm në këtë sezon të ri, por edhe në filozofinë që kërkon të ndjek të ekipi.

Në një intervistë për “Ora Sport” ka treguar se synohet që të krijohet një bord ku të përfshihen legjenda të futbollit shkodran, ndërsa mes tyre do të jetë edhe Rudi Vata. Kur kthehet çështja për të folur mbi konfliktin në distancë me Olsi Ramën, Xhaferi i bën një ftesë drejtorit të Partizanit duke i thënë se sa rrinë duke paditur njëri-tjetrin, duhet të bëhen bashkë për t’i kërkuar Qeverisë kthimin e tifozëve me kushtet e vendosura nga protokolli i COVID. Fillimisht Xhaferi ka treguar momentet e para që bën të vendoste për të investuar te skuadra.

“Pandemia ka dëmtuar edhe biznesin, por ishte një indicje e tifozëve, gatshmëri e Bashkisë Shkodrër dhe  vendosa të investoj tek Vllaznia. Unë kam paraqitur edhe një plan si mund të ngrihet Vllaznia. Jemi në rrugë të mbarë. Njerëzit shihnin me spekticizëm fillimisht, por brenda një kohe të shkurtër dhe me stafin e duhur ne krijuam një ekip dinjitoz në kampionatin shqiptar.

Megjithatë ne jemi ende herët dhe nuk duhet që të fluturojmë pasi kampionati është i gjatë. Por i gjithë qëllimi është që ta kthejmë Vllazninë atje ku e meriton, për të qenë në majën e futbollit shqiptar. Ne kemi bërë një mbledhje me stafin tonë dhe mes objektivave unë kam shtuar edhe pjesën që duhet të jemi në Kupat e Europës. Pastaj na është shtuar edhe uria, duhet thënë kjo, që më pas të luftojmë edhe për vendet e para pasi Vllaznia ka nevojë për një Kupë

Lincesimi në Europë – Ne jemi në një situatë dinamike, klubi po shkon drejt privatizimit. Duhet të zgjidhet situata e borxhit, jam i bindur që situata të ec shpejt me privatizimin mënjehërë që të lidh marrëveshje me tatimet dhe me ata që kanë fituar gjyqet. Në mënyrë që klubi të mos ketë probleme kur të vij momenti për pjesëmarrje në Europë.

Kjo pasi do të ishte një fatkeqësi që të gjitha këto përpjekjet tona të shkojnë dëm dhe Vllaznia të mos licencohej në Europë. Unë kam treguar edhe projektin tim për të marrë Vllazninë atje ku gjithçka bazohet tek kthimi i rezultateve pozitive, ringritja e akademisë dhe njëkohësisht përfshirja e më shumë sponsorëve te klubi.

Deklarata e Ramës? Nuk dua që t’i kthehem dhe të vazhdojmë deklaratat në distancë me njëri-tjetrin. Por sa të merremi duke paditur njëri-tjetrin, le të bashkohemi dhe t’i bëjmë kërkesë Qeverisë që të kthejnë tifozët në stadium. Le të kthehen duke zbatuar ato kushtet e vendosura për shkakun e COVID. E kemi të pamundur që të mbajmë tifozët shkodranë larg stadiumit dhe jam i bindur që arena jonë do të mbushej plot me këto rezultate. Mendoj se edhe ai dënimi me gjobë që na erdhi ishte nga presioni i fjalëve të Ramës.

Merkato? Është e vërtetë që kemi pasur kontakte edhe me Balajn, por disa gjëra nuk mund të thuhen në publik aktualisht dhe ne po vazhdojmë që të kërkojmë lojtarë në pozicionet që kemi më shumë mangësi. Jemi duke u përgatitur për të bërë shumë afrime, por njëkohësisht edhe largime. Nuk do të kërkojmë për lojtarë që të jenë të mëdhenj vetëm në emër, por që t’i bëjnë punë Vllaznisë.

Kthimi i figuravë ikonë te Vllaznia si Rudi Vata: “Patjetër. Në rastin kur të kemi një projekt më të gjerë unë kam kënaqësi që  të krijohet një bord me figura të shquara të Vllaznisë, ku mes të cilëve do të ofrohet edhe një post me rëndësi për Rudi Vatën, nëse do të ketë dëshirën për ta pranuar. Vetëm kështu mund të ecim përpara pasi Vllaznia i përket gjithë qytetit”, u shpreh Alban Xhaferi. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *