Bakaj, një “xholi” që në Soligorsk e zbuluan “rastësisht”

0

Në mediat bjelloruse jepen detaje nga transferimi i ish-sulmuesit të Kukësit në Soligorsk, ndërkohë që drejtuesit e klubi nuk e zbulojnë shifrën e transferimit

Elis Bakaj është kthyer në personazh në Bjellorusi pa zbritur ende në fushë, sepse interesimi nga mediat është i madh. Ditën e djeshme portali “tribuna.com” publikoi një artikull të gjatë në lidhje me ish-sulmuesin e Kukësit, duke analizuar gjithë karrierën e tij dhe duke zbuluar detaje interesante nga transferimi i bujshëm i Shahtar Soligorsk, që kryen një sforcim të madh ekonomik në limitin e merkatos, një muaj para fillimit të kampionatit, diçka e rrallë në Bjellorusi, sepse në përgjithësi klubet operojnë me parametra zero dhe i kompletojnë skuadrat që në janar.

TRANSFERIMI – Ecuria e Bakajt në Superiore në pjesën e parë të sezonit impresionoi drejtuesit e Shahtarit, që këmbëngulën gjatë për ta marrë autorin e 12 golave në Superiore, atë që edhe në këtë moment është ende shënuesi më i mirë në Shqipëri. Shifra e transferimit mbetet ende mister, sepse për burimet e gazetave sportive në Shqipëri ajo është rreth 120 mijë dollarë, por drejtori sportiv i Shakhtarit Smitri Koklov nuk është ashtu: “Nuk duhet besuar gjithçka shkruhet në media. Informacioni i mësipërm është absolutisht i pavërtetë. Ne kishim nevojë për një futbollist me fantazi, një lojtar me tipare sulmuese që të luajë si numër 10, në krah, ose si sulmues i dytë. Bazuar në këto kritere, nisëm kërkimin dhe kandidatë kishte shumë. Në rastin e Bakajt, askush nuk na e ofroi. Me atë ishte thjesht rastësi. E gjetëm vetë, morëm informacion edhe nga ish-trajneri i tij te Çernomorets Odesa, Roman Grigorçuk, pastaj kërkuam të kontaktonim me futbollistin”.

BAKAJ – Vetë Bakaj është shumë i kënaqur që ka firmosur për Shahtarin. Është stërvitur disa seanca, ka nisur të njihet me skuadrën dhe stafin dhe gjithçka duket se po shkon mirë. Bakaj nuk është shqiptari i parë që luan në futbollin bjellorus, sepse më parë ka luajtur Ardian Shala, i panjohur për ne, por edhe portieri Julian Gjeloshi, ish-portier shumë i talentuar nga Lezha, i cili deri në momentin që u ndal futbolli shqiptar në vitin e tmerrshëm 1997, luante për Flamurtarin dhe ishte një ndër yjet e kampionatit shqiptar, që në atë kohë kishte superlojtarë dhe financa të jashtëzakonshme. Gjeloshi ka lënë mbresa edhe në Bjellorusi, edhe pse luajti pak muaj në vitin 2004, tani e ka radhën Bakaj.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.