Elis Bakaj është ende në Shqipëri, vazhdon stërvitjen në mënyrë individuale, në pritje të gjetjes së ekipit të ri. Para pak ditësh u konfirmua se bisedimet me Flamurtarin nuk patën fund pozitiv, kryesisht për faktin se sulmuesi kërkon të luajë jashtë Shqipërisë.
Tani Supersport raporton se janë 3 klube izraelite që kanë nisur bisedimet me Bakajn, por ky i fundit është në mëdyshje. Kjo për faktin se edhe Shkëndija e Tetovës i ka bërë ftesë për t’u bashkuar me të për sezonin e ri. Shkëndija ka një skuadër të shkëlqyer dhe po e tregon në Europa League, por Bakaj do të ishte një përforcim mjaft cilësor, në një sezon ku pritet sërish betejë për titull me Vardarin.