Të premten Shqipëria në futboll për femra do të përballet në Elbasan (17.00) me Zvicrën, në kualifikueset e Kupës së Botës, ndaj sot e kanë pasur radhën të shfaqen para medieve dy futbolliste të kombëtares, Arbiona Bajraktari dhe Luçie Gjini.
Dy mbrojtëset titullare të kombëtares së drejtuar nga Armir Grima janë të bindura se mund të befasojnë, edhe pse faza e dytë kualifikuese është mjaft e vështirë.
Arbiona Bajraktari
“Pas një periudhe jo të shkurtër që kemi luajtur në kualifikuese, ma merr mendja që çdo vajzë është përgatitur mirë. Grupi është shumë i vështirë, ndaj me pak përgatitje nuk arrin asgjë, e kemi provuar disa herë në të shkruarën, pa ia dalë mbanë. Jemi përqendruar totalisht te këto ndeshje dhe jemi përgatitur maksimalisht, duke u përgatitur fizikisht e psikologjikisht. Besoj se do t’ia dalim edhe në këto ndeshje, ashtu si në kualifikueset e para.
“Nuk është se i njoh shumë rivalët. Zvicrës i kam parë disa ndeshje dhe është ekip shumë i mirë. Në letër çdo ekip i grupit është më i mirë se ne, por në fushë do të japim maksimumin, duke nisur nga Zvicra, ndërsa më pas do të mendojmë për Bjellorusinë. Fakti që luajmë në fushën tonë në ndeshjen e së premtes është një plus për ne, sepse kemi shikuesit në favor.
“Nuk kemi ardhur në kombëtare vetëm për eksperiencë. Përtej kundërshtarit, duhet të japim maksimumin tonë dhe do të mundohemi të kualifikohemi. Jemi përgatitur shumë për këto ndeshje, do të mundohemi të marrim rezultate sa më të mira. Me Zvicrën, duke qenë edhe në fushën tonë, do të mundohemi të fitojmë, ndërsa në Bjellorusi do të kërkojmë një barazim. Zvicra ka një sulm shumë të mirë, edhe mesfushë të fortë, ndaj duhet të fokusohemi te mbrojtja dhe të dalim në kundërsulm, si në ndeshjet e shkuara”.
Luçie Gjini
“Pas një periudhe të gjatë pushimi, të gjitha vajzat e dinë që duhet të përgatitemi sa më shumë, për t’u përballur me ekipe më të forta. Besoj se asnjëra nga ne nuk ka qëndruar pushim gjatë kësaj periudhe. Zvicra është një kundërshtar shumë i fortë. Nuk e njohim mirë, sepse nuk jemi përballur asnjëherë, por me sa kemi parë, janë shumë të shpejta, luajnë shpejt e me kombinime, ndaj mendoj se është një ekip shumë i fortë, por duhet të përballemi pa frikë dhe besoj se mund t’i frenojmë.
“Njihemi mirë me njëra-tjetrën, e njohim lojën tonë, ndaj duhet të mendojmë të hedhim një hap tjetër përpara. Mendoj se mund t’ia dalim, edhe dy barazime nuk janë keq për ne, duke parë forcën e kundërshtareve të radhës. Nëse luajmë në grup, të bashkuara, mendoj se mund t’i bëjmë ballë Zvicrës”.