Pas dy fitoreve bindëse, për Bajernin vjen prapë rënia. Skuadra e Karlo Ançelotit dje u ndal në barazim 2-2 nga Volfsburg në “Allianz Arena” në një ndeshje ku kishte mundësinë për të arritur shumë më shumë. Ekipi bavarez vuajti mungesën e portierit Manuel Nojer, sidomos në rastin e golit të parë të pësuar, që ishte një gafë e pafalshme e portierit Sven Ulrajsh.
Loja u bë shumë intensive që në nisje, me Bajernin më pak pragmatist se Volfsburgu, që vetëm mbrohej. Golin e parë e shënuan bavarezët me sulmuesin Levandovski në të 33?. Polaku duket qartë se po kalon një formë perfekte! Bajerni më pas dyfishoi avantazhin në të 42? me Robenin falë ndihmës së mbrojtësit Rafinja, i cili preku topin me pjesën e prapme të këmbës.
Pra, ishte edhe një asist nga braziliani! Në fakt, u duk se gjërat do të ishin shumë të thjeshta për rekordmenët. Megjithatë, gjithçka ndryshoi në 45? e dyta. Në të 56? Maksimilian Arnold turpëroi portierin zëvendësues të kapitenit Nojer, Ulrajsh, me një goditje dënimi nga 35 metra. Gardiani i Bajernit provoi ta presë topin me një dorë, por dështoi, edhe pse ishte një gjuajtje ballore. Në të 83? Didavi shënoi golin e barazimit me kokë dhe stadiumi heshti. Bajerni u përpoq të shënonte golin e fitores, por nuk ia arriti, as pas goditjes me kokë të mbrojtësit Humels në sekondat e fundit. Kreu i tabelës së klasifikimit për kampionët e Gjermanisë duket sikur do të mbetet utopi, pas ndeshjes që Dortmundi luan sot me Gladbahun, ku pritet të fitojë, bazuar te statistikat.