Në takimin e sotëm në kuadër të “UEFA Youth League” midis skuadrave të Bajernit dhe AEK-ut ka pasur një “derbi” shqiptarësh. Në radhët e skuadrës gjermane ishte mesfushori 17-vjeçar Marvin Çuni. Ndërsa në krahun e vizitorëve ishin mbrojtësi Bogdani dhe portieri Tafa, ky i fundit e pa të gjithë takimin nga stoli.
Më shumë minuta ndër shqiptarët në këtë takim mori mbrojtësi 18-vjeçar i AEK-ut Donald Bogdani, i cili luajti për gjatë të gjithë ndeshjes, ndërsa 17-vjeçari Çuni u fut në minutën e 79-të. Në këtë takim mungoi mesfushori Meritan Shabani, i cili iu bashkua ditën e djeshme ekipit të parë të Bajernit për përballjen e sotme në “Allianz Arena”.
Në takimet e tjera të “UEFA Youth League” luajtën edhe disa lojtarë të tjerë me origjinë shqiptare si kapiteni i Jang Bojs Kreshnik Hajrizi, mbrojtësi Hertës së Berlinit Mateo Kastrati dhe Eduart Iljazi i suedezëve të Elfsborgut.