“Babëzia dhe makutëria nuk kanë të sosur”, Xhelal Mziu ngre zërin për stadiumin e Kamzës

Ngjarja e fundit me stadiumin e Kamzës ka ngritur shqetësime në opinionin publik të qytetarëve si dhe në botën e sportit. Një vendim për prishjen e tij për ta kthyer më pas në një parkim makinash padyshim që nuk është pritur aspak mirë. Banorët e zonës janë ngritur në protestë për ta ndaluar një plan të tillë të vihet në jetë, ndërsa shumë figura të tjera kanë reaguar duke dalë kundër këtij vendimi.

Një tjetër emër që ngre zërin për stadiumin e Kamzës është edhe Xhelal Mziu. Ish-kryetari i Bashkisë Kamëz ka përdorur rrjetin social “Facebook“ për të shprehur shqetësimin e tij në lidhje me planin e pushteti vendor. Një babëzi dhe makutëri që nuk ka të sosur ka vendosur ta quajë këtë veprim të Mziu, që kërkon të ndalet prishja e stadiumit, i cili ka një vlerë të madhe për zonën./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Postimi i plotë:

Babëzia dhe makutëria e rilindjes nuk ka të sosur as në këtë kohë pandemie (ose lufte sipas KM)!
Rilindja pasi rrëmbeu pa garë, pa zgjedhje, madje me 6% të votave Bashkinê Kamëz, në këtë kohë pandemie si Qeveria dhe Bashkia janë hedhur në garë për prishje objektesh publike, tendera sekret, PPP dhe koncesione të ndryshme, ndonëse qytetarët po vdesin për bukën e gojës.
Ashtu si dhe SHEFI dhe kolegët e tij e njëjta babëzi dhe makutëri ka mbërthyer dhe kryetarin e emëruar 6% të Bashkisë Kamëz!
Si rilindas, si biznesmen matrapaz, si person i ardhur pavotë dhe me papërgjegjshmëri e mos llogaridhënie, ai është hedhur në sulm për grabitjen dhe tjetërsimin e pronave publike.
Projekti i tij i fundit famëkeq ka si synim prishjen dhe tjetërsimin e stadiumin e qytetit të Kamzës, një nga simbolet e këtij qyteti.
Ka rreth dy javë që punojnë ilegalisht për të bërë prishjen e stadiumit dhe ndërtimin e një “parkimi publik”, pallate, lokale e restorante dhe ndonjë lodër apo gjelbërim.
Pak informacion për stadiumin:
Është ndërtuar në 10 shtator 1936 nga Toptanët, pra një stadium dhe një skuadër futbolli 84 vjeçare.
Është në qendër të qytetit, është riinvestuar në 2002, 2011, 2013 dhe 2016 ngs FSHF pjesërisht dhe Bashkia e Kamzës në rreth 70% të vlerës së saj.
Ka 5500 vende me stola ndenje dhe është i çertifikuar nga UEFA.
Skuadra e Kamzës në 10 vitet e fundit ka qenë konkuruese në futbollin shqiptar dhe në superligë.
Stadiumi ka një sipërfaqe prej rreth 20 mijë metra katror, vetëm vlera e tokës, e vlerësuar sipas ekspertëve, e kalon shumën e 5 milionë Eurove, pa llogaritur vlerën e investimit që e shumëfishon këtë vlerë.
Megjithë kërkesat e shumta për informacione dhe transparencë, çdo gjë po bëhet në fshehtësi, duke filluar nga dosjet për në hipotekë, e deri me vendime këshilli ilegal, si dhe pa miratim në buxhet apo konsultë me publikun, grupet e interesit të qytetarëve, sportdashësve, etj.
Thuhet se brenda një jave do të bëhet prishja e tij, kuptohet duke shfrytëzuar kohën e pandemisë ose luftës ku qytetarët janë të ngujuar e pabukë në shtëpitë e tyre.
Në ditët në vazhdim do tju japim informacione të tjera kofidenciale, korrupsioni e nepotizmi politik e korruptiv të kësaj megaafere.
Kërkojmë urgjentisht heqjen dorë nga kjo maskaradë korruptive dhe ndalimin e këtij projekti vjedhje e grabitje.
Të vihen menjëherë në dispozicion të publikut dokumentet e ligjorë.
Të merret në konsideratë vlerësimi i grupit të interesit publik, sportiv dhe të klubit Kamëza sha, e mbi të gjitha përpara çdo lloj vendimarrje të kësaj natyre të merret mendimi dhe pëlqimi i qytetarëve të Kamzës.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *