Ish-futbollisti dhe ish-trajneri prek me radhë të gjitha problematikat e futbollit lushnjar dhe fajëson direkt bashkinë
Vladimir Prenga
Ramadan Baballëku, ish-mesfushor i shquar i Lushnjës së viteve ‘73-‘83 dhe Kastriotit në vitet ‘84-‘91, njihet mirë nga tifozët, pasi ka qenë edhe trajner i ekipit të parë të Lushnjës sezonin 2002-2003 dhe 2011-2012. Pikërisht ky sezon, 2011-2012, ishte i pari që skuadra menaxhohej nga kryebashkiaku Fatos Tushe. Në atë kohë Baballëku dha dorëheqjen 5 javë pas nisjes së kampionatit, duke ia lënë vendin Sajmir Malkos, ndërkohë që skuadra merrte pjesë në Kategorinë e Parë. Baballëku vlerësohet si trajneri më rezultativ i grupmoshave të Lushnjës me 2 tituj kampion me 19-vjeçarët. Ai ka nxjerrë shumë futbollistë të talentuar, të cilët kanë bërë karrierë te Lushnja dhe ekipe të tjera më emër. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, ish-trajneri i shquar flet me tone mjaft kritike për mënyrën si menaxhohet futbolli në Lushnjë, madje ai e quan abuzive dhe aspak profesionale nga bashkia. fundit. Ja si e nis prononcimin e tij Ramadan Baballëku. “Jam pjesë e pandarë e futbollit të qytetit tim dhe më dhemb shpirti kur shoh si menaxhohet klubi i futbollit në Lushnjë. Ky lloj menaxhimi në infrastrukturë, ekipet e moshave dhe ekipi i parë, është një çorganizim total i organizuar, që e ka katandisur Lushnjën në një gjendje katastrofike, si kurrë më parë në historinë e saj”, – thotë Baballëku, duke i marrë çështjet me radhë më pas.
INFRASTRUKTURA – “Sportdashësit në qytetin tonë janë dëshmitarë të terreneve, që janë katandisur si varreza të braktisura. Bashkia që e financon këtë klub me lekët e taksapaguesve lushnjarë nuk ka bërë as ndërhyrjen më minimale. Nuk ka një fushë ku të stërvitet ekipi i parë apo grupmoshat. Është fatkeqësi të thuhet se ekipi i parë dhe moshat kanë mbi 5 vjet, që i zhvillojnë ndeshjet në “Roza Haxhiu”. Madje, ekipi i parë aty zhvillon edhe stërvitjen, duke e shkatërruar brenda një kohe të shkurtër. Stadiumi ynë ka 2 anekse, që të japin mundësinë e rikonstruksionit dhe shtrimit me tapet artificial. Bashkia i ka keqmenaxhuar dhe i ka katandisur këto terrene në gjendje kaq të mjerë.”
AKADEMIA E KLUBIT – “Grupmoshat e Lushnjës, jo më larg se para 10 viteve, bënin ligjin në kampionat, duke sjellë tituj dhe duke nxjerrë elementë pa fund për ekipin e parë. Ato kanë kohë që janë kthyer në grumbullime pa kokë dhe pa drejtimin e duhur profesional. Mungon organizimi dhe ndarja në grupmoshat përkatëse. Në klub gjen trajnerë pa licencë, ndërkohë që trajnerët e moshave të caktuara stërvitin sipas qejfit mosha të ndryshme. Një trajner 17-vjeçarësh stërvit fëmijë 8-10 vjet në fushat e stadiumit. Trajneri i U-15 stërvit 70 fëmijë nga mosha 8 deri në 17 vjeç për të vërtetuar se klubi është kthyer në rrumpallë. Punohet pa organizim dhe pa plan profesional. Po ti shtosh këtij drejtimi të qëllimshëm edhe infrastrukturën mizerabël, del në konkluzionin logjik pse moshat e Lushnjës kanë ë paktën 7 vjet, që janë pushtuar nga shterpësia. Nuk nxjerrin më talente.”
EKIPI I PARË – “Që kur Lushnja menaxhohet nga bashkia, pasojat janë ndjerë shumë te të rriturit. Ky ekip ka vite që drejtohet pa objektiv. Fillon e mbaron një kampionat dhe nuk deklarohet objektivi, ndaj dhe nuk ka masa, kur ai nuk realizohet. Lushnja mund të jetë rast unikal, kur një ekip pëson 15 humbje radhazi në kampionat dhe nuk shkarkohet stafi teknik. Ekipi parë ka kohë që u ka mbyllur derën atyre pak talenteve që vijnë nga U-19-a. Bëhet merkato me “jabanxhinj” me nivel më të ulët ose të barabartë me futbollistët, ku ka investuar klubi. Këta të fundit hidhen në rrugë. Ky drejtim abuziv ndodh për shkak të nepotizmit nga drejtuesit e bashkisë dhe interesave meskine partiake apo klienteliste.”
BORDI – “Është folur dhe abuzuar shumë me këtë organizëm, që gjoja drejton financat. Në dijeninë time dhe sportdashësve lushnjarë, ky bord nuk e ka kryer kurrë një rol të tillë, sepse në përbërje ka njerëz, që nuk kanë asnjë lidhje me futbollin. Mjafton të përmend faktin se njerëzit e regjistruar në bord paguhen me rroga të dyfishta nga lekët e taksapaguesve lushnjarë, ndërkohë që e kanë katandisur kështu Lushnjën.”
PRIVATIZIMI – “Me sa u shpreha më lart, shoh si nevojë imediate privatizimin, afrimin e sponsorëve për të marrë në dorë fatet e ekipit. Ndoshta kjo gjë nuk u intereson atyre që menaxhojnë lekët e taksapaguesve lushnjarë, ndaj dhe kanë sfumuar çdo tentativë në aspektin e privatizimit apo sponsorizimit. Vetëm privatizimi urgjent mund të bëjë të mundur nxjerrjen nga kjo “vdekje klinike” të Lushnjës”.
SUPERIORJA – “Natyrisht, ndihem mirë që Lushnja do të luajë në Superiore. Por shoh me skepticizëm mënyrën aspak profesionale të ndërtimit të ekipit. E kam fjalën për merkaton dhe futbollistët e rinj anonimë, që i janë bashkangjitur ekipit. Zvarritja, për mendimin tim, e qëllimshme e rikonstruksionit të “Roza Haxhiut” është një ogur i keq për ne. Unë dhe kolegët e mi ish-futbollistë presim nga drejtuesit e bashkisë apo i ashtuquajturi bord, që para fillimit të këtij sezoni të shpalosen objektivat. Dëshiroj që ekipi im i zëmrës të bëjë një paraqitje dinjitoze në këtë rikthim të tejzgjatur në Superiore”.