Elvi Berisha shpërdoroi dy mundësi të mira shënimi kundër Partizanit në derbin e djeshëm. I ftuar në “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora Neës” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari, lojtari i Tiranës ka folur më tepër sa i përket përballjes që lamë pas dhe afrimit të Tiranës me titullin kampion.
“Ky rezultat na jep kënaqësi, megjithëse do të donim të fitonim. Kemi edhe tre ndeshje të tjera, do të kërkojmë tre fitore të tjera për t’u shpallur kampion. Rastet e humbura dje? Të them të drejtën, nuk mendova shumë, thjesht godita. Fati nuk deshi, kisha dy raste dje. Jam në ekipin më të mirë në Shqipëri dhe dua ta bëj këtu shpërthimin tim.
Trajneri Shehi u mundua që të na hiqte presionin, që ta merrnim ndeshjen sa më lehtë. Sa më shumë që e përjeton, aq më keq të kthehet. Atmosfera ishte shumë e mirë, nuk e kisha përjetuar ndonjëherë. Dihet që Tirana ka tifozët më të mirë në Shqipëri. Babai është kritiku im më i madh, më kritikoi për rastet që nuk shënova dje. Ai e di shumë mirë sesa unë dua të shënoj, por fati nuk më ka dashur.
Për mua ky sezon nuk ka qenë i mirë, por në ndeshjet e fundit po përmirësohem. Dua që të rris formën për sezonin tjetër. Dua të bëj edhe një sezon të mirë te Tirana dhe më pas të iki sërish jashtë. Kam shumë besim se do të fitojmë me Laçin për t’u afrur më shumë me titullin, Teuta na ka hapur më shumë vështirësi në këtë sezon. Idhulli im është Cristiano Ronaldo, ai duhet të jetë shembull për të gjithë. Unë jam më shumë në stilin Haland, dua qetësinë, nuk dal shumë, shkoj në palestër dhe më pas qëndroj në shtëpi, shoh filma, kështu jam rritur”, tha Elvi Berisha. /Sport Ekspres/