Babai i yllit të PSG-së Nejmar Senior, i cili është dhe njëkohësisht edhe menaxheri i të birit ka folur para mikrofonit të medies spanjolle “El Pais”, për situatën në të cilën ndodhet djali i tij, si dhe për lajmet që qarkullojnë për një rikthim të tij në futbollin spanjoll te ekipi i Real Madridit.
“Marrëdhënia jonë me drejtuesit e PSG-së është mjaft e mirë, por kjo mund të ndryshojë nëse ata nuk respektojnë disa nga rregullat e marrëveshjes që nënshkruam një vit më parë. Diçka që nuk mund të negociojmë është roli i djalit tim si qendra e projektit të PSG-së”, tha i ati i futbollistit të njohur.
Kjo deklaratë vjen vetëm pak ditë pas suksesit fenomenal të sulmuesit tjetër të parisienëve, Kilian Mbape, i cili udhëhoqi Francën drejt titullit kampion bote. Talenti 19-vjeçar po pëson një rritje të frikshme dhe kjo ka turbulluar disi situatën në “kampin” e brazilianit, ku të riun francez po e shohin më shumë si rival sesa koleg.