Nëse më parë kemi treguar një panoramë të Eneo Bitrit që ka kërkuar pyetje të tjera kur gazetarët nga Kazakistani e kanë pyetur për pikat e dobëta të Partizanit, tani kemi një krah të kundërt. Azdren Llullaku, ish-lojtari i Shqipërisë ishte jo pak i gatshëm të tregonte sesi do të luante Partizani dhe mbi të gjitha, që t’i uronte fat ekipit kazak kundër një skuadre të origjinës së tij.
“Astana do të ketë një ndeshje të vështirë. Partizani do të ushtrojë presion që në minutat e para, duan të shënojnë gol menjëherë. Megjithatë, Astana ka shumë avantazh që në ato momente të shkojë në kundërsulm. Kjo do të jetë taktika ideale, Astana duhet të mbrohet mirë në fillim dhe më pas të tentojë kundërsulmin se Partizani do t’i lërë shumë hapësira. Paçi fat”, tha Llullaku. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/