Federata Australiane e Futbollit më në fund ka zgjedhur trajnerin e ri dhe është kthyer te emrat e huaj, sepse ka firmosur me holandezin Bert van Marvejk, i cili do të qëndrojë të paktën deri në përfundim të Kupës së Botës.
Trajneri 65-vjeçar ka fituar garën me një numër emrash të njohur, duke nisur nga Slaven Biliç, Jyrgen Klinsman e Xhani De Biazi, me ish-trajnerin e Shqipërisë që pati edhe një takim me drejtuesit e federatës australiane.
Me sa duket, Van Marvejk është përzgjedhur edhe për faktin se ka pranuar një kontratë disa-mujore, ndërsa për zgjatjen e saj do të flitet vetëm pas përfundimit të aventurës botërore.
Van Marvejk ecën në gjurmët e bashkëkombasve të vet Gus Hidink e Pim Ferbek, të cilët kanë drejtuar në të shkuarën Australinë. Eksperienca nuk i mungon Van Marvejkut, i cili drejtoi Holandën në Botërorin 2010 dhe së fundi kualifikoi Arabinë Saudite për në Kupën e Botës, me një ecuri të shkëlqyer.
Në Kupën e Botës Australia do të debutojë kundër Francës, ndërsa më pas do të ndeshet me Danimarkën dhe Perunë.