Atmosfera super, shiten mbi 10 mijë bileta

Që dje në mbrëmje janë mbyllur të gjitha pikat e shitjes. Në treg nuk gjen më biletë, ndërkohë që korçarët afrojnë orarin. Nisen në orën 14:30

Leonard Trebicka

Ka ndodhur ajo që pritej. Dje në mbrëmje vonë, në pikat e shitjes në Korçë, Elbasan dhe në Tiranë thuajse janë shitur të gjitha biletat. Janë shitur më shumë se 10 mijë bileta dhe sot ato pak që kanë mbetur me siguri do të “avullojnë”. Kështu, në shkallët e stadiumit “Elbasan Arena” do të jenë 12 mijë tifozë, si asnjëherë më parë.
Lajmin e shitjes së biletave e ka konfirmuar zyrtarisht për gazetën kompania që merret me shitjen e tyre. Klubi kishte ditë të tëra që u bënte thirrje tifozëve të siguronin sa më parë një biletë, pasi parashikohej që sot të mos kishte asnjë të tillë në treg. Ata që e kishin lënë për në sekondën e fundit vështirë se do të gjejnë biletë sot në mëngjes. Një shitje e tillë rekord në fakt ka ndodhur vetëm në ndeshjet e kombëtares kuqezi, por ja që tani e bën edhe Skënderbeu, klubi i parë shqiptar që mbush plot e përplot një stadium jashtë Korçës. 124 kilometra është largësia, që sot do të bëjnë mbi 7 mijë korçarë, të cilët kanë siguruar prej ditësh biletën e tyre për të mbështetur ekipin e zemrës, por edhe shumë të tjerë që jetojnë në kryeqytet apo në rrethe të tjera, nuk do të mungojnë në Elbasan. Në stadiumin e këtij qyteti sot nuk do të ketë vend që të hedhësh as një “kokërr molle”. Rekordi është shënuar para dy vitesh, po në ndeshjen midis Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit, në “play-off”-in e Champions League, kur u shitën 10 mijë bileta, ndërsa sot numri do të shkojë në 12 mijë. Korçarët në këtë mënyrë e kanë bërë detyrën e tyre dhe do të jenë në Elbasan, ku radhën e kanë tashmë futbollistët në fushë. Në fund të fundit, sot është dita që Korça të pushtojë Elbasanin dhe më pas gjithë Shqipërinë, pasi, nëse skuadra bardhekuqe kualifikohet, do të jetë një arritje historike në futbollin shqiptar.

TIFOZËT – Absolutisht që tifozët korçarë, ose “Ujqërit e dëborës”, meritojnë notë maksimale, pasi si kurrë më parë do të jenë mbi 7 mijë që do të nisen drejt Elbasanit. Klubi korçar ka vënë në dispozicion 50 autobusë për udhëtimin dhe do të jetë e vështirë të gjesh vend, por vargu i makinave do të jetë me kilometra të tëra. Detajet e organizimit të tifozërisë bardhekuqe janë bërë të ditura nga “Sport Ekspres”. Atmosfera është e jashtëzakonshme dhe surprizat e tifozëve korçarë do të zbulohen sot një e nga një. Në “Elbasan Arena” sot do të jetë vërtet një “tërmet” nga tifozët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *