Atletiko e Madridit përmbys Interin, Depai shtangu zikaltrit në fund dhe e dërgon ndeshjen në shtesa

Një mbrëmje e vështirë për Interin. Fitorja e marrë në “Xhuzepe Meaxa” u zhvlerësua sot në “Vanda Metropolitano”. Zikaltrit e nisën mjaft mirë përballjen e sotme kundër Atletikos së Madridit, duke gjetur të parët rrugën e rrjetës. Dimarkua shkundi rrjetën në minutën e 33-të, por vetëm 2 minuta më vonë Grizmani heshti kampin italian.

Pjesa e dyta vijoi me ritmin e së parës, me Interin që humbi dy raste të pastra shënimi me Turamin dhe Barelën. E nëse nuk shënon, atëherë do të pësosh. Ky rregull i pashkruar i futbollit mori vlerë edhe mbrëmjen e sotme. Kur lojtarët e Interit prisnin me ankth vërshëllimën e trefishtë për të festuar, Depai u prishi tërësisht planet. Sulmuesi holandez përmbysi rezultatin në 2-1 në minutën e 87, duke e dërguar kështu ndeshjen në kohën shtesë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/