Nga Klaudio Ndreca
Përballja mes Juventusit dhe Veronës nuk ka përfunduar në paqe, ashtu siç në fakt tregon rezultati pas përfundimit të 90 minutave që u mbërthye në shifrat 1-1. Tensioni te bardhezinjtë ishte i pranishëm për faktin se vijnë pas disa rezultateve aspak bindëse, atje ku vuhet ndjeshëm mungesa e Kristiano Ronaldos.
Ndërkohë trajneri i Veronës ka festuar si i çmendur pas përfundimit të takimit, duke sjellë nervozizëm të shtuar te stoli i Andrea Pirlos dhe më veçanërisht në krahun e Bonuçit. Por për çfarë bëhet fjalë saktësisht?
Në konferencën për shtyp Juric ka krijuar një ide mbi incidentin, megjithëse nuk e zbardh situatën. “Më kanë fyer dhe kur më thonë diçka të keqe unë reagoj. Disa fyerje më erdhën dhe unë ika si një njeri nga Ballkani”, ka thënë Juric, që gjakrat e ndezur të mos e precipitonin situatën më tej. /Sport Ekspres/