Iu kujtohet Astrit Hajdari? Një nga gjetjet e trajnerit Kristian Panuçi, që do e grumbullonte te Kombëtarja, por jo për shumë gjatë. Kjo nisur edhe nga vetë karriera e këtij mesfushori, që te AEK-u doli tërësisht jashtë loje derisa iku nga ekipi.
Aktualisht është pjesë e Djurgarden, por po përjeton një moment të jashtëzakonshëm. Kur kanë mbetur edhe 5 ndeshje nga fundi i kampionatit, skuadra e mesfushorit shqiptar po kryeson me 56 pikë, ndërsa ndiqet nga Malmo me 53 pikë dhe AIK me 52 pikë.
Një kampionat i ndezur, por Djugarden ka avantazhin e momentit. Hajdari luan në pjesën më të madhe të ndeshjeve dhe ka shumë minuta në këmbë, megjithëse jo gjithmonë duke i mbyllur takimet me 90 minuta.
Në përfundimin e ndehsjes së fundit ndaj Falkenberg, ku u fitua me rezultatin 1-0 dhe Hajdari luajti për 75 minuta, do të shprehej: “Jam 100% i bindur se kjo do të jetë pamja e renditjes edhe pas këtyre 5 ndeshjeve”.
Më pas gazetarët do të pyesnin kapitenin e AIK që po rivalizon për titull, Goitom, me këtë të fundit që nuk e kursen ironinë: “Fjalët e Astrit? Atëherë jepjani një Kupë. Ju mund të bëni një Kupë lodër dhe t’ia jepni. Kështu ai mund të festojë që tani”. /Sport Ekspres/