Trajneri i Tiranës, Ze Maria, pas ndeshjes së dytë pa shënuar asnjë gol dhe vetëm 1 pikë të marrë, ka komentuar për “Gol pas Goli”, në Supersport, ndeshjen me Teutën, duke bërë thirrje edhe për merkaton dhe përdor shprehje italiane “guverta është e shkurtër”.
Si e komentoni këtë barazim?
“Jam i kënaqur përgjysmë, sepse skuadra është rritur nga ndeshja e parë. Kemi pasur më shumë cilësi në mesfushë. Luajtëm më shumë me top në tokë, sidomos me Hasanin. Skuadra po rritet dhe po përmirësohemi. Sigurisht, rezultati është ai që është dhe ende nuk kemi fituar një ndeshje”.
Mungon goli, si shpjegohet?
“Na mungon ai që ta shtyjë topin. N’Gog është ende jashtë. E kemi guvertën e shkurtër… Zgjedhja e Grecës ishte thjesht ndryshim moduli, pra me 4-4-2, për t’I dhënë më shumë grintë dhe zhdërvjellësi lojës. Ata që kam nuk mund ta bëjnë golin”.
Nota për portierin Abibi?
“Duhet ta përgëzoj, sepse ka luajtur mirë të dy ndeshjet. Kur një ka mundësi të luajë, shansin, atëherë duhet ta shfrytëzojë, siç po bën edhe ai”.
Merkato, çfarë kërkohet?
E kam thënë edhe më parë, kemi mungesë në sulm dhe më duhen dy sulmues, ndryshe duhet të përshtas futbollistë me karakteristika të tjera.