Kur jemi edhe 8 javë nga fundi i kampionatit, Superiorja e ka mbyllur njërën “luftë”. Bëhet fjalë për atë të mbijetesës, ku Flamurtari dhe Luftëtari kanë firmosur zyrtarisht rënien në Kategorinë e Parë. Tashmë as matematika nuk premton më dhe shpresat e pakta të dy ekipeve të fundit për të qendruar në Superiore edhe në sezonin e ardhshëm janë shuar plotësisht.
Një ditë e keqe kjo për të gjithë ekipin dhe tifozët e Flamurtarit dhe të Luftëtarit, megjithëse fati i tyre këtë vit u mësua prej shumë kohësh. Padyshim që një ekip si ai i kuqezinjve të Vlorës nuk e meriton ta shohë veten në kategoritë inferiore për hir të vetë historisë dhe lavdisë që e shkuara shkruan për të.
Por një ngjarje e tillë nuk është diçka e re për ekipet elitës shqiptare, teksa edhe klube të tjera që kanë bërë historinë si Dinamo, Partizani, apo edhe në vitet e fundit Vllaznia e Tirana e kanë provuar shijen e rënies nga kategoria. Gjithsesi ky nuk është fundi për Flamurtarin, pasi nëse kthen kokën pas shembullin mund ta gjejë te bardheblutë, të cilët jo vetëm u rikthyen menjëherë në elitë, por po i mahnisin të gjithë dhe janë shumë pranë titullit kampion. E vetmja gjë që mbetet për t’u bërë është mbledhja e forcave dhe mendimi për sezonin e ardhshëm. /Halit Delibashi-Sport Ekspres/