Arsenali është gati të bëjë një nga lëvizjet më të bujshme të kësaj vere në merkaton e futbollit. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, klubi londinez po përgatit një ofertë zyrtare për yllin e Real Madridit, Vinicius Junior, duke synuar ta transferojë brazilianin në “Emirates Stadium”.
Raportohet se “Topçinjtë” janë të gatshëm të ofrojnë plot 100 milionë euro për kartonin e 26-vjeçarit. Përveç shumës së madhe të transferimit, Arsenali i ka përgatitur Viniciusit edhe një kontratë katërvjeçare me pagë rreth 25 milionë euro në sezon, ndërsa do t’i japë edhe të drejtat e plota të imazhit, një ofertë shumë e rrallë në futbollin modern.
Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka konfirmim se oferta është dorëzuar zyrtarisht te Real Madridi. Situata mbetet e hapur, pasi Vinicius vazhdon negociatat me klubin spanjoll për rinovimin e kontratës, bisedime që ende nuk kanë përfunduar. Pikërisht kjo ka shtyrë Arsenalin të monitorojë me kujdes zhvillimet dhe të jetë gati të veprojë nëse krijohet mundësia.
Në rast se transferimi realizohet, ai do të ishte një nga më të shtrenjtët në historinë e Arsenalit dhe një deklaratë e fortë e ambicieve të skuadrës së Mikel Artetës. Megjithatë, shumë burime pranë klubit madrilen besojnë se prioriteti i Viniciusit mbetet vazhdimi i karrierës te Reali, nëse arrihet një marrëveshje e re financiare mes palëve. Javët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e brazilianit. /Sport Ekspres/