Aleksis Sançez luajti një ndeshje të shkëlqyer kundër Kristal Palas mbrëmjen e djeshme, duke shënuar dy gola dhe duke qenë vendimtar në fitoren 3-2 që Arsenali arriti në transfertën londineze. Ishte ndeshja numër 810 e Arsen Vengerit në stolin e Arsenalit në kampionat, duke arritur një rekord historik vendosur nga Sër Aleks Ferguson. Arsenali luajti një ndeshje shumë të mirë, duke pasur momente spektakolare si në ditët e veta më të mira, ndërsa Sançez shënoi 2 gola në më pak se 4 minuta, duke siguruar një fitore të çmuar, që afron Arsenalin me vendin e dytë, sepse Mançester Junajtid është ndalur sërish, ndërsa fituan rivalët e tjerë.
Kristal Palas nuk humbiste prej 8 ndeshjesh dhe nuk pritej një shëtitje për Arsenalin, por “Topçinjtë” kontrolluan gjithçka në shumicën e pjesës së parë dhe Shkodran Mustafi gjeti golin e parë të ndeshjes në minutën e 25-të. Goli i dytë nuk erdhi, pavarësisht nga shanset, ndaj Palas përfitoi dhe Taunsend barazoi në minutën e 49-të. Minuta paniku për Arsenalin, që rezistoi dhe më pas goditi me yllin e sulmit, i cili në janar hyn në 6 muajt e fundit të kontratës. Në minutën e 89-të Tomkins shkurtoi për Palas, por ishte tepër vonë.