Arsenali po përgatitet të mbyllë transferimin e sulmuesit Obamejang dhe tashmë ka arritur një marrëveshje paraprake me Borusian e Dortmundit, raporton Sky Sports në Angli. Pas një këmbënguljeje të gjatë të klubit anglez, duket se sulmuesi 28 vjeçar është shumë pranë kalimit tek Topçinjtë e Arsen Vengerit, pasi klubi ka bërë një ofertë prej 63-68 milion euro për blerjen e tij. Pas një pauze të shkurtër, pasi klubi e ndëshkoi për probleme me disiplinën, ai u rikthye këtë fundjavë ndaj Frajburgut në kampionat dhe u fërshëllye nga tifozeria e tij, ndaj largimi është i pashmangshëm.
Obamejang ka shënuar 21 gola në 24 ndeshje këtë sezon dhe Arsenali e sheh si pasuesin e Aleksis Sançezit, i cili u transferua te Mançester Junajtid para pak ditësh. Mbetet ende për të kuptuar nëse shifra do të përfshijë edhe huazimin e Olivier Zhirusë, për të cilin vazhdon të jetë i interesuar edhe Çelsi. Blutë e londrës mund të përpiqen të rrëmbejnë sulmuesin francez, që vjen rreth 35 milionë euro, në rast nuk blejnë Xhekon nga Roma. Shanset e Zhirusë për të lënë Arsenalin janë të larta, me Arsen Venger i cili disa ditë më parë tha: “Nëse askush nuk vjen, askush nuk mund të largohet”.
Menaxheri i Arsenalit ka rritur ofertën fillestare nga 50 milionë ishte fillimisht, kështu që zor se do të jetë i gatshëm të sakrifikojë edhe francezin Zhiru, në Londër që nga viti 2012. Gazeta gjermane Kicker sugjeron një tjetër skenar: Obamejang te Arsenali, Zhiru do të shkojë te Çelsi dhe ky i fundit kalon në huazim Batshuajin te Dortmundi.