Ilir Daja arriti një sukses të dyfishtë me Ballkanin. Trajneri shqiptar, pasi fitoi titullin e dytë kampion radhazi, e dërgoi skuadrën nga Theranda për të dytën herë rresht në grupet e Ligës së Konferencës. Daja ka dhënë së fundmi një intervistë për “Dueli Sportiv” në “RTV Dukagjini”, ku është pyetur ndër të tjera nëse do të pranonte të drejtonte përfaqësuesen e Kosovës. Kreu i pankinës së Ballkanit është shprehur se tashmë ka krijuar një Kombëtare të vogël me ekipin e tij dhe se fakti që dardanët kanë një trajner aktual e bën që të mos e mendojë këtë skenar.
“Unë jam trajner i Ballkanit. Me këto përfaqësime që po bëjmë në Europë jemi një “Kombëtare” e vogël, jo të krahasohemi me Kombëtaren e madhe të Kosovës. Dihet që aty ka lojtarë që janë prezentë në Serinë A, La Liga, apo në kampionatet më të forta. Por në mungesë të ndeshjeve të tyre, ne kemi bërë një Kombëtare të vogël, duke bërë bashkë të gjithë sportdashësit e Kosovës me paraqitjet që kemi bërë në Europë. Kombëtarja e Kosovës e ka tashmë një trajner, të cilit unë personalisht i uroj sukses. Secilit trajner i duhet dhënë koha e duhur që të tregojë se çfarë mund të bëjë me ekipet apo me Kombëtare. Përderisa (Kosova) e ka një trajner aktual, nuk jam i hapur (për të marrë drejtimin), sepse do ta uroja çdo koleg që të vazhdonte punën dhe të kishte suksese në vazhdimësi”, ka thënë Ilir Daja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/