Trajneri shkodran rikthehet në Roza Haxhiu. Ka rënë dakord me drejtuesit e klubit dhe sot do ta ndjekë skuadrën nga tribuna. Të hënën nis punën
Arjan Likja
Më në fund, drejtuesit e Lushnjës kanë vendosur për trajnerin e ri, edhe pse ende nuk e kanë bërë zyrtarizimin e marrëveshjes. Nga burime pranë gazetës mësohet se do të jetë Hysen Dedja trajneri i ri i skuadrës myzeqare, por sipas të të njëjtave burime, ai nuk do të jetë sot në stol për ndeshjen me Teutën. Trajneri shkodran, i cili e ka drejtuar edhe më parë Lushnjën, do ta ndjekë ndeshjen e sotme nga tribuna dhe vetëm të hënën do të nisë punën zyrtarisht me skuadrën e re. Drejtuesit e Lushnjës kishin disa ditë që ishin në kërkim të trajnerit të ri dhe kishin disa alternativa, por në fund është arritur akordi me Hysen Dedjan, një emër i njohur në fushën e trajningut në Shqipëri, por që prej vitesh ishte shkëputur nga kjo punë. Ndoshta fakti që e njeh ambientin te skuadra verdhejeshile ka bërë që Dedja të kthehet dhe të drejtojë një skuadër në Superiore. Ai do të zërë vendin e Artan Banos, i cili e ka drejtuar Lushnjën në sezonet e fundit në Superiore dhe në Kategorinë e Parë. Trajneri shkodran do të debutojë në stolin lushnjar në javën e fundit të fazës së parë të kampionatit, pikërisht në transfertën e Gjirokastrës me Luftëtarin. Në ndeshjen e sotme skuadra do të drejtohet nga dy ndihmëstrajnerët Çuko dhe Gjika.
KARRIERA Hysen Dedja ka drejtuar në karrierën e tij disa skuadra, siç janë Vllaznia, Teuta, Bylisi, Luftëtari, Erzeni, Laçi dhe Egnatia. Ai ka qenë në krye të Lushnjës në sezonin
1999-2000. Rikthehet te kjo skuadër pas shumë vitesh, pas plot 17 vitesh, ndërkohë që ka marrë përsipër një detyrë shumë të vështirë. Ai do të përpiqet ta mbajë këtë skuadër në Superiore, por do të jetë shumë e vështirë, sepse verdhejeshilët mbajnë vendin e fundit në tabelën e renditjes, kur janë luajtur 7 javë kampionat. Një fitore e mundshme në ndeshjen e sotme me Teutën në shtëpi do të ishte një shans në lidhje me objektivin e mbijetesës në elitën e futbollit shqiptar. Në të kundërt ky objektiv bëhet edhe më i vështirë, për të mos thënë i pamundur.