Algjeria ia doli të eliminonte Bregun e Fildishtë dhe u kualifikua në gjysmëfinalet e Kupës së Afrikës. 1-1 u mbyll koha e rregullt dhe 30 minutat shtesë dhe gjithçka u zgjidh nga goditjet e penalltive.
Algjerianët u treguan më të saktë dhe festa e madhe nisi. Sidomos në Francë, aty ku ka një komunitet të madh algjerianësh. Festimet e çmendura sollën kaos, rrëmujë, persona të arrestuar, policë të plagosur dhe një viktimë.
Të gjithë nxituan të dilnin rrugëve me makina ose në këmbë, duke bllokuar trafikun. Në Montpelje, një tifoz humbi kontrollin e mjetit dhe shtypi një familje. Nëna vdiq, ndërsa dy fëmijët e vegjël janë shtruar në spital.
Probleme pati edhe në Paris, sidomos në zonën Barbes. Nuk munguan as vjedhjet e dyqaneve dhe përplasja me policinë. Bilanci përfundimtar flet për 74 persona të arrestuar, 20 policë të plagosur dhe një viktimë.
Algjeria do të luajë me datë 14 korrik gjysmëfinalen kundër Nigerisë. Tani luhet për një vend në finalen e madhe dhe adrenalina e emocionet janë akoma më të mëdha.