“Armando Broja është si Myrto Uzuni”, flet Bogdani: Më kujton lëvizjet e mia në fillim të karrierës

Erjon Bogdani ka dhënë një intervistë për emisionin “Sport News” të moderuar nga Enxhi Biba dhe të transmetuar në “News 24”, ku ka skanuar lojtarët shqiptarë që aktivizohen në kampionatet europiane. Nga kalimi i Uzunit në La Liga, te Strakosha në Itali apo edhe te Broja në Premier League, të gjithë kalojnë në “lupën” e analizës së ish-bomberit shqiptar.

Uzuni

“Është një lëvizje shumë e mirë edhe për karrierën e Uzunit. Si futbollist ai e meriton këtë lëvizje, sepse faktikist ka pasur një rritje. Po ta shikojmë ka ndjekur shkallët e duhura dhe më kujton lëvizjet e mia kur kam qenë në fillim të karrierës sime. Ai e tregoi veten në kampionatin shqiptar, ishte më të mirët në kampionatin shqiptar. Pastaj kaloi në Kroaci, ku edhe atje bëri shumë mirë dhe ishte një nga lojtarët më të mirë të kampionatit kroat. Ka pasur shumë oferta dhe pastaj bëri një hap jo shumë të madh, por një hap në rritje, siç ishte dhe kampionati hungarez dhe skuadra e Ferencvaroshit. Ai luajti, fitoi kampionatin, bëri gola dhe mori pjesë në evenimentin më të madh të futbollit siç është Champions League, duke luajtur kundër skuadrave të mira dhe duke u paraqitur shumë mirë. Pas ecurive të mira te Ferencvaroshi tani kaloi në një kampionat shuëm të mirë siç është ai kampion. Duke treguar veten në këtë skuadër dhe këtë ligë nuk diskutohet që do konsolidohet si lojtar. Shpresoj të kalojë në një skuadër më të mirë dhe ta tregojë veten”.

Broja

“Është lojtar i ri me shumë perspektivë. Është lojtar që edhe ai si puna e Uzunit në karrierë, pavarësisht skuadrave, sepse ai si lojtar nuk diskutohet që është rritur në Angli dhe pastaj kaloi në Holandë te Viteshe ku u rrit si lojtar. Pastaj kaloi te Chelsea që e dha në huazim te Southamptoni. Po luan shumë mirë dhe po bën gola. Është një nga pikat kryesore të ekipit të tij. Me këtë rritje që po tregon në fushën e lojës nuk diskutohet që vitin tjetër do të kthehet te ekipi i Chelsea-t. Aty do i luajë të gjitha mundësitë për të qenë një nga pikat kryesore. Edhe te ekipi Kombëtar e kemi parë, pavarësisht se trajneri nuk i ka dhënë mundësinë që të luajë titullar në shumë ndeshje. Ai duhet të vazhdojë si po vazhdon. Ai nuk ka nevojë për këshilla, e shikoj që po luan në mënyrë fantastike edhe te skuadra e tij dhe duhet të vazhdojë në këtë mënyrë. Shpresoj të ketë sa më pak dëmtime. Edhe familjen e ka afër. Të gjithë tifozët dhe Shqipërinë e ka afër. Për mendimin tim është lojtar i perspektivës edhe për ekipin Kombëtar. Që ta kemi Brojën në ekipin kombëtar është luks edhe për ne“

Strakosha

“Kur Lacio luajti me Salernitanën takova personalisht Strakoshën dhe lojtarë të tjerë, si dhe drejtorin sportiv të Lacios, Igli Taren. Puna e Strakoshës ka një vit ose një vit e gjysmë që është bërë çështje për rinovimin e kontratës. Mendoj që për atë që ka dhënë Strakosha te ekipi i Lacios atij duhej ti rinovohej kontrata. Pastaj nuk kam hyrë në detaje sepse nuk e di çfarë ka kërkuar lojtari dhe çfarë i ka ofruar Lacio si ekip. Megjithatë flasim për një portier shumë të mirë, një portier që ka bërë mirë te Lacio, një portier që është në kulmin e tij dhe një portier që nuk e ka problem të ndryshojë skuadër. Siç e kam lexuar edhe nëpër gazeta ka shumë skuadra, edhe nga Premier League, që janë të interesuara për Strakoshën. Unë kam dëshirë ta shikoj prapë Strakoshën në Serie A. Nëse nuk është e mundur, atëherë normalisht destinacioni i tij mund të jetë Premier League siç e kanë kërkuar, apo edhe Bundesliga siç kam dëgjuar që ka skuadra që janë shumë të interesuara për Strakoshën”.

Asllani

“Përpara se të flas për Bajramin doja të theksoja edhe Asllanin. Një lojtar shumë i mirë. Një lojtar që nuk i ka pasur ato hapësira si Bajrami, por kur trajneri i Empolit i ka dhënë mundësinë që të luajë ka luajtur shumë mirë. Edhe ai po flitet që është një nga lojtarët kryesorë te Empoli. Një lojtar që shumë skuadra, edhe ato 4-5 skuadrat e para në Itali janë duke e vëzhguar edhe është një lojtar me perspektivë”.

Bajrami

“Sa i përket Bajramit mendoj që është një lojtar fantastik. Një nga lojtarët më të mirë në Serie A, sepse këtë e ka demonstruar në fushën e lojës, duke luajtur shumë mirë, duke shënuar gola, por duke dhënë edhe asiste. Është një nga lojtarët kryesorë të Empolit. Në merkaton e janarit ka pasur shumë zëra, sepse faktikisht ka shumë skuadra të interesuara për të. Ka qenë i interesuar edhe Juventusi, por edhe Sasuolo. Faktikisht edhe vlera e kartonit të tij normalisht që është në rritje. Ai është një luks edhe për Kombëtaren shqiptare, sepse faktikisht është një lojtar që po tregon nga java në javë veten”, ka deklaruar Erjon Bogdani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *