Ky sezon i futbollit ka dalë jashtë planeve fillestare prej pandemisë së shkaktuar nga Covid-19. Si asnjëherë më parë muajt e verës pritet t’i kemi të mbushura me sportin më të ndjekur në botë, ndërsa emocionet e Champions League do të rikthehen sërish në gusht. Por kalendari i ngjeshur koha e pakët në dispozicion ka bërë që të mendohen edhe ndryshime në këtë sezon të Championsit. Mbi këtë temë ka folur edhe Presidenti Armand Duka, njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Duka ka treguar për mikrofonin e “Tuttomercato Radio” se në shtëpinë e futbollit europian po mendohet edhe mundësia që ndeshjet çerekfinale të zhvillohen me vetëm një takim. Pra të hiqet dorë nga sistemi i përhershëm vajtje-ardhje, siç jemi mësuar gjithnjë ta shohim, për shkak të kësaj situate të paprecedentë të krijuar. Sa i përket një formati të ri për sezonin e ardhshëm, Duka bën me dije se UEFA është besimplotë se sezoni që do të pasojë do të vijojë normalisht dhe se kjo gjendje do të përfundojë.
“Po flitet për fundin e gushtit si datë. Së pari ata duhet të përfundojnë ndeshjet e kthimit që mungojnë, pastaj nga çerekfinalja mund të luhet me një takim.
Format i ri? Për momentin nuk ka asgjë për të diskutuar, të gjithë besojnë në mundësinë e përfundimit të këtij sezoni dhe të fillojnë përsëri normalisht me sezonin e ardhshëm”, ka thënë Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/