Argumentet “pro” dhe “kundër” Mark Julianos

 

Trajneri italian ka pak shanse të ketë sukses. Grupin nuk e ka me vete. Kalendari nuk është favorizuar, pritet “shpërthimi” i fazës

 Trajneri Mark Juliano ndodhet në pozita shumë të vështira, pasi Partizani i tij nuk po arrin të ekuilibrohet dhe të marrë fitoren e parë në kampionat. Janë luajtur 4 javë, por “demat” kanë vetëm 2 pikë edhe pse kalendari ka qenë i favorshëm, pasi kanë pasur 3 ndeshje në shtëpi përfshirë Laçin dhe Lushnjen, në letër krejtësisht të arritshme. Fusha ka treguar fytyrë tjetër, pasi të kuqtë kanë lënë për të dëshiruar, madje nuk kanë shënuar asnjë gol.

Tekniku Juliano është i lëkundur, ndërsa nëse do të ishim në Angli, sigurisht që kompanitë e basteve do të kishin hedhur koeficientët për pushim apo jo të tij nga puna. Nëse i hedh një sy të lehtë argumentet kundër tij janë më të shumtë se ato pro.

KUNDWR –  Lojtarët, argument më të fortë s’mund të ketë. Dashuria mes tij e futbollistëve të “demave” nuk ekziston, pavarësisht dukjeve dhe deklaratave në publik. Grupi nuk sakrifikon për të dhe kjo është problem i madh për një trajner. Besimi kundrejt tij ka humbur, ai nuk e ka më besimin e patjetërsueshëm të presidentit Demi. Juliano tashmë nuk shihet më si trajneri që do të bëjë diferencën. Arsyeja se pse Demi ka humbur besimin te ai janë rezultatet dhe paraqitja e dobët e skuadrës. Pika kryesore, nuk po shënohen gola. Presidenti Demi kërkon një ekip sulmues, Juliano nuk ka shënuar akoma asnjë gol, minus i madh. “Garda e vjetër” e trajnerëve dhe specialistëve shqiptarë rreth Partizanit janë shprehur hapur kundrejt tij. Ish-trajneri Sulejman Starova e ka cilësuar si të paaftë ashtu si Nand Ocelli, Dosti, apo edhe Ledio Pano.

PRO – Juliano deklaroi pas Lushnjes se është i qetë, kjo ka një arsye të thjeshtë, Luçiano Moxhin. Ai është afruar nga Drejtori i Përgjithshëm dhe sigurisht që i ka “krahët e nxehtë”, pasi edhe për merkato nuk ka aq përgjegjësi sa “big” Luçiano.

Një tjetër argument pro është “shpërthimi” që pritet të ndodhë në këtë tetor. Partizani zhvilloi një fazë shumë të ngjeshur në gusht dhe tashmë pritet që futbollistët të lirohen në këmbë dhe të ndryshojnë paraqitjet e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *